Reforma në drejtësi, ndërhyrja e diplomatëve është naive

0

Intervistë me eksperten e njohur amerikane të Drejtësisë, Kathleen Imholz.  Si e shikon ajo rolin e diplomatëve të huaj në Reformën shqiptare në Drejtësi; ndryshimet, që duheshin bërë në mënyrën më të shpejtë dhe ato që janë bërë pa logjikë; Si po përdoren diplomatët e huaj, dhe a ka ardhur apo jo koha për një kushtetutë të re për Shqipërinë…

Intervistoi Ben Andoni

Zonja Kathleen Imholz është prej më shumë se dy dekadash në Shqipëri, e fokusuar në të gjitha sfidat që ka pasur sistemi i Drejtësisë shqiptare për t’u pastruar nga e shkuara, por edhe për të formuar fizionominë e vet në demokraci pas viteve ‘90. Ka qenë këshilltare në administratën shqiptare në rangjet më të larta, por pjesën më të madhe ka qenë në pozicione angazhimi si eksperte. Javanews e ka pyetur për mënyrën dhe rrugën sesi duhej të bëhej Reforma, në konceptin e saj, rolin e diplomatëve të huaj në vend etj. Një nga vërejtjet është ajo që lidhet me strukturat e Ligjit të ri. ” … përse duhet të krijohet një Gjykatë e Lartë Administrative në këtë moment? Sa i shërben kjo ‘Reformës’ në Drejtësi? Gjykatat administrative janë në funksion vetëm për disa vjet, dhe tashmë është miratuar edhe Kodi i ri i Procedurave Administrative, i cili hyn në fuqi në fund të këtij muaji (maj 2016). Pse duhet të krijojmë rrethanat dhe nevojën për ta ndryshuar këtë Kod brenda disa ditëve nga hyrja e tij në fuqi (ashtu dhe kodet e tjera proceduriale)? A nuk duhet ‘reforma’ të përqendrohet në aspektet më kritike, siç janë krijimi i gjykatave dhe prokurorive të posaçme anti-korrupsion, qeverisja e gjyqësorit/prokurorisë, si dhe vlerësimi i gjyqtarëve, prokurorëve në detyrë?”

Ndërkohë insistimit për rolin e diplomatëve të huaj, ajo ka pasur një përgjigje më të gatshme, duke thënë se diplomatët e huaj shpesh keqpërdoren në Shqipëri për interesa të pastër politikë. Ndërkohë ka bërë një vërejtje të largët dhe për të huajt, kur ka theksuar se ata do e kenë shumë të vështirë të kuptojnë propozimet që janë bërë. “Ata (diplomatët) nuk kuptojnë dhe nuk kanë mundësi të kuptojnë se si do të realizohen të gjithë këto propozime që janë bërë. Domethënë, do të përgjigjesha jo se ndërhyrjet janë të ‘ekzagjeruara’, por që janë disi naive, në kuptimin që realizimi i ndryshimeve nuk do të shpaloset siç pritet nga diplomatët”.

Mbase ka ardhur koha që Shqipëria të shikojë kushtetutën e saj sepse ajo e vitit 1998 nuk i përgjigjet kushteve të sotme dhe për këtë, juristja e njohur amerikane e aprovon, por duke theksuar se dokumenti nuk mund të bëhet me ngut dhe thjesht në kuadër të Reformës….

Ka një perceptim publik, që del edhe nga shqyrtimi i draftit të ligjit për Reformën në Drejtësi, se politikanët do i shpëtojnë drejtësisë, dhe, a mendoni se është disi e ekzagjeruar ndërhyrja e diplomatëve të huaj deri në hollësira për Reformën në Drejtësi?

“Kam vëzhguar zhvillimet juridike (dhe të tjera) në Shqipëri për më shumë se 20 vjet dhe nuk mund të mos vë re, se politikanët shqiptarë shpesh përdorin – dhe i keqpërdorin – ndërkombëtarët. Dua të theksoj, sigurisht, se vlerësoj përpjekjet aktuale të diplomatëve të ndryshëm për të nxitur procesin e Reformës në Drejtësi, që besoj të jetë bërë me mirëbesim të plotë. Por dua të theksoj gjithashtu, se ata (diplomatët) nuk kuptojnë dhe nuk kanë mundësi të kuptojnë se si do të realizohen të gjithë këto propozime që janë bërë. Domethënë, do të përgjigjesha jo se ndërhyrjet janë të ‘ekzagjeruara’, por që janë disi naive, në kuptimin që realizimi i ndryshimeve nuk do të shpaloset siç pritet nga diplomatët”.

Janë parashikuar të krijohen disa struktura paralele në të gjithë Drejtësinë. A nuk mendoni se kjo e shton vështirësinë e funksionimit të Drejtësisë në parametrat e duhura?

“Krijimi i strukturave të reja, edhe atyre paralele, në vetvete nuk është gabim, në qoftë se u shërben qëllimeve të mirëpërcaktuara.  Por përsa i përket reformës aktuale në fjalë, vazhdimisht kam thënë që më duket shumë e ndërlikuar, më shumë se sa është e nevojshme, fakt, i cili do të vështirësojë zbatimin e reformës në kohën e duhur.

Një nga shembujt e shumtë që mund të ngrihen në këtë aspekt është se përse duhet të krijohet një Gjykatë e Lartë Administrative në këtë moment? Sa i shërben kjo ‘Reformës’ në Drejtësi? Gjykatat administrative janë në funksion vetëm për disa vjet, dhe tashmë është miratuar edhe Kodi i ri i Procedurave Administrative, i cili hyn në fuqi në fund të këtij muaji (maj 2016). Pse duhet të krijojmë rrethanat dhe nevojën për ta ndryshuar këtë Kod brenda disa ditëve nga hyrja e tij në fuqi (ashtu dhe kodet e tjera proceduriale)? A nuk duhet “reforma” të përqendrohet në aspektet më kritike, siç janë krijimi i gjykatave dhe prokurorive të posaçme anti-korrupsion, qeverisja e gjyqësorit/prokurorisë, si dhe vlerësimi i gjyqtarëve, prokurorëve në detyrë?”

Drafti i ligjit të reformës në drejtësi kërkon ndryshime të mëdha edhe në Kushtetutë. A është ky një element që tregon se reforma është problematike?

“Siç e thashë edhe më lart, në qoftë se ka qëllime të mirëpërcaktuara, ndryshimet e mëdha mund të jenë të pranueshme. Megjithatë, kam dyshime se jo të gjitha ndryshimet e propozuara janë të tilla. Thjeshtëzimi dhe reduktimi i propozimeve do të lehtësonte shumë zbatimin efikas të tyre.

Ndoshta ka ardhur koha për një rishikim të përgjithshëm të Kushtetutës së vitit 1998, por nuk ka nevojë të bëhet ky në kuadrin e Reformës në Drejtësi!” (Javanews)

Shpërndaje

Rreth Autorit

Leave A Reply

Please type the characters of this captcha image in the input box

Bitte die Buchstaben des captcha Bildes im Eingabefeld eintippen

© 2014 faktinews.com ⎢ Powred by: newonline.ch