Robert Elsie: Përse është e rëndësishme historia gojore për shqiptarët?

0

Historia shqiptare është mrekulli, por është e rrethuar nga mjegulla. Atë që zbuloj unë, unë nuk e zbuloj, por më shumë e bëj të njohur. Është vetëm një përpjekje, por ka shumë zbulime, që nuk varen nga unë, por nga shqiptarët që duhet t’i zbulojnë. Historia e shkruar është e paktë në botën shqiptare. Historia e Shqipërisë është shkruar nga të huajt, jo nga shqiptarët. Shqiptarët kanë mbetur memecë, nuk ka shumë burime. Ka shumë pjesë të Shqipërisë që nuk njihen fare

 

Çfarë rëndësie ka historia gojore? Kujt i shërben ajo? A e zotërojnë shqiptarët këtë traditë? Nëse jo, çfarë humbasin? Albanologu, Robert Elsie, gjatë një takimi në ambientet e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Tiranë argumenton mendimin e tij, kurse në një intervistë për “Shekullin“ i shpalos  më gjerë argumentet e tija.
Përse është e rëndësishme historia gojore? Sipas tij, historinë e Shqipërisë e kanë shkruar të huajt, ndërsa shqiptarët kanë mbetur memecë. Prandaj ata duhet që të punojnë më tepër në këtë drejtim, sepse nëpërmjet historisë gojore, ajo që mungon mund të plotësohet. Elsie mendon se edhe gazetarët, nëpërmjet intervistave që ata bëjnë, mund të japin kontributin e tyre në këtë drejtim, por në shumë raste kjo gjë mund të arrihet dhe nëpërmjet familjarëve. Robert Elsie është shkrimtar dhe gjuhëtar me njohuri enciklopedike dhe shumë vepra të botuara mbi kulturën, letërsinë dhe historinë shqiptare. Që prej vitit 1990, Elsie, ka ofruar një spektër të gjerë të teksteve dhe dokumenteve mbi historinë e Shqipërisë.

Zoti Elsie, çfarë duhet bërë që ne të kemi një histori alternative gojore?

Kush duhet të merret me këtë? Jeni ju vetë (gazetarët) që duhet ta bëni këtë. Nuk ka nevojë për shumë gjëra; vetëm për një kamera, mikrofon dhe mundimin e transkriptimit. Kjo gjë po bëhet tani në Kosovë për Luftën e Dytë Botërore. Por, mbase nuk janë vetëm gazetarët ata që duhet ta ruajnë, por dhe familjarët, që jetojnë me ta brenda për brenda familjes. Për shembull, çamët kanë përjetuar histori të tmerrshme në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur ata erdhën në Shqipëri. Por, ende dhe sot jetojnë njerëz, që i kanë përjetuar ngjarjet.

Fëmijët e tyre duhet t’i pyesin dhe t’i incizojnë, sepse historia e Çamërisë është shkruar nga grekët.

Pra, ju mendoni se nuk është vonë që historia gojore të zhvillohet dhe në Shqipëri?

Për mua nuk është vonë, sepse historia e shkruar është e paktë në botën shqiptare. Historia e Shqipërisë është shkruar nga të huajt, jo nga shqiptarët. Shqiptarët kanë mbetur memecë, nuk ka shumë burime. Ka shumë pjesë të Shqipërisë që nuk njihen fare.

Nuk janë pyetur njerëzit e thjeshtë; çfarë ka ndodhur? Ju e dini se, bota shqiptare nuk ka pasur shumë intelektualë në shkrim, njerëz që të dinin të hartonin një libër për historinë, për ngjarjet etj., prandaj dhe shtypi, intervistat nga gazetarët, janë me shumë rëndësi për historinë gojore. Historia shqiptare është mrekulli, por është e rrethuar nga mjegulla. Atë që zbuloj unë, unë nuk e zbuloj, por më shumë e bëj të njohur. Është vetëm një përpjekje, por ka shumë zbulime, që nuk varen nga unë, por nga shqiptarët që duhet t’i zbulojnë.

Ju keni punuar dhe për Eposin e Kreshnikëve?

Prandaj Eposi më pëlqen shumë, sepse është një traditë gojore, që është trashëguar te brezat, sidomos në Veri. Por, po zhduket tani. Mendoj se pas 10- 15 vjetësh nuk do të ketë më lahutarë, sikurse kanë qenë.

A mundet që kjo formë të jetë një lloj dëshmie për brezat e ardhshëm, për të kuptuar qoftë se si kanë ndodhur ndryshimet në dialektet gjuhësore?

Sigurisht, sepse njerëzit e moshuar janë ata që mbajnë pasuritë dialektore. Unë kam bërë shumë intervista të traditës dialektore. Nuk u interesova aq shumë për atë që thoshin njerëzit, por se si e thoshin ata. Besoj, që kjo është një pasuri, sepse dialektet po zhduken çdo ditë dhe më shumë. Njerëzit tani duan të flasin të gjithë si tiransa (qesh).

Si e keni përjetuar këtë eksperiencë?

Unë kam bërë shumë intervista. Por, në atë kohë nuk kam kuptuar asnjë fjalë, veçanërisht gegët në Veri të Shqipërisë apo në Kosovë. Tani, duke i dëgjuar incizimet shumë herë, arrij që t’i kuptoj. Po a ka një histori gojore nga periudha komuniste, që ju i riktheheni? Asgjë të veçantë, por sigurisht që ka shumë për të mësuar. Unë kam folur me shumë njerëz, të thjeshtë dhe me ata që ishin në pushtet në atë kohë, por nuk donin që të tregonin shumë. Kjo është një mungesë, sepse ky brez njerëzish do të zhduket në Shqipëri.

Po ata që flasin, sa duhet t’u besojmë?

Kjo është punë investiguese. Një gazetar i mirëfilltë di që të zbulojë se kur është apo jo një histori e vërtetë. Profesor Alessandro Portelli tha se, kur historia gojore ndryshohet në atë moment bëhet interesante. Pse njerëzit konceptojnë ndryshe? Pse gënjejnë? Ka njerëz që gënjejnë, kuptohet. Por, pse? Ata që kanë qenë asokohe komunistë pas rënies së sistemit dolën si demokratë, si kundërshtarë të regjimit. Faktikisht ata kanë qenë pjesëtarë të regjimit.

Kur jeton vetëm njëra palë, mbetet të hapen dosjet, këtë disa e mbështesin, disa të tjerë jo. Ju mendoni se dosjet duhet hapur, për t’u ballafaquar me atë pjesë të errët të së kaluarës?

Nuk e di. Ky është një problem i madh, që mund të shkatërrojë shoqërinë shqiptare.

Historia gojore shqiptare, është e rëndësishme. Robert Elsie u tregua i gatshëm për të folur rreth temës së historisë gojore. Megjithatë, ai ndau me audiencën disa mendime nga vetë përvoja e tij në disa fusha, me historinë gojore. Historia gojore shqiptare, është e rëndësishme dhe përvoja ime Së pari, më lejoni të them diçka mbi rëndësinë e gojarisë në botën shqipfolëse. Sipas mendimit tim, tradita gojore dhe historia gojore janë shumë më të rëndësishme ndër shqiptarët, që gjenden diku në Evropë. Ka arsye të mira për këtë:

1. Historia shqiptare është shkruar në masë të madhe nga të huajt, jo nga shqiptarët, edhe pse më vonë dihet më shumë në lidhje me çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Kjo ka qenë si rezultat i zhvillimit të Shqipërisë dhe Kosovës dhe, në veçanti, i analfabetizmit të gjatë.

2. Shkatërrimi i pasurisë kulturore (biblioteka, manastire, libra dhe dorëshkrime) gjatë shekujve kanë qenë në mesin e shqiptarëve… E kaluara e shqiptarëve është tragjike dhe ende kjo është një tragjedi, që është e mbështjellë me mjegull e dendur. Si rezultat, shumë nga ato që janë shkruar tani për vendin dhe historia e saj është spekulim i pastër. Çfarë dimë në të vërtetë për historinë e shqiptarëve, në lidhje me origjinën apo zhvillimin e tyre si një popull? Çfarë dimë ne për realitetet e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe Kosovë, ose në lidhje me diktaturat komuniste që erdhën më pas? Shumë pak…

3. Komunistët bën shumë për zhdukjen e analfabetizmit dhe prapambetjes në Shqipëri, ata vulosën shumë tradita, në veçanti shkatërrimin radikal të komuniteteve fetare, në fund të viteve 1960 dhe me eliminimin e besimeve tradicionale, të besëtytnive dhe të zakoneve të vjetra…

4. Historia gojore shqiptare ka pësuar ndryshme tjetërkund. Jam duke folur këtu për shqiptarët e Kosovës dhe çamët, historia e të cilëve gjerësisht është shkruar dhe deformuar nga popujt fqinjë, për qëllimet e tyre. Përvoja ime me traditën gojore

1. Duke pasur parasysh shkatërrimin e kulturës shqiptare, dhe nga burimet e historisë shqiptare, ajo që është shumë e rëndësishme për mua është mbledhja dhe publikimi i asaj, që ende mund të gjendet në traditën popullore. Rezultatet e përpjekjet e mia të para ishin përpiluar në librat: Një Fjalor i Fesë Shqiptare, Mitologji dhe Kulturë Popullore (Nju Jork 2001), Leksiku Kulturës Popullore Shqiptare: Besime, mitologjike, fe, doke, ritit, festa dhe veçori kulturore (Tiranë 2005). 2. Interesi im ka qenë dhe për regjistrimin e traditës gojore në dialektet e shqipes. Ruaj mbi 200 incizime nga 2 deri në 15 minuta të gjatë.

3. Interes tjetër është tradita gojore në letërsinë shqiptare, tregime popullore; legjendat dhe vargu epik gojor. Çfarë është e rëndësishme? Pjesa më e madhe është bërë në fushën e historisë dhe letërsisë gojore, por ndjej se ne jemi ende në fillim. Ka fusha të gjera të historisë shqiptare, që duhet plotësuar nga historia gojore. Unë do të rekomandoj: 1. Regjistrimin e historisë gojore të diktaturës komuniste në Shqipëri. Shumë njerëz, që janë përfshirë drejtpërdrejt janë të moshuar, prandaj ne nuk duhet të humbasim kohë.

2. Historia gojore e shqiptarëve të Çamërisë nga viti 1945 e tutje, dhe natyrisht, të shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-‘99, në Maqedoni etj.

3. Ka shumë fusha ku tradita gojore mund të ruajë atë që së shpejti do të humbasë, por unë do të largohem, duke ua lënë këtë ekspertëve që ndodhen sot (dje) këtu. (Materiali është shkëputur nga referimi i Robert Elsie në takimin e djeshëm)

Shpërndaje

Rreth Autorit

Leave A Reply

Please type the characters of this captcha image in the input box

Bitte die Buchstaben des captcha Bildes im Eingabefeld eintippen

© 2014 faktinews.com ⎢ Powred by: newonline.ch