KOSOVA SOT VOTON

0

Sot nga ora 07:00 deri në ora 19:00, qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, do të kenë mundësi për të votuar për të zgjedhur 120 deputetët e Kuvendit.

Këtë proces zgjedhor, që udhëhiqet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do ta vëzhgojnë rreth 30 mijë vëzhgues nga organizata vendore e ndërkombëtare, media vendore e ndërkombëtare dhe përfaqësues të trupave zgjedhore nga vendet e tjera.

Në gjithë Kosovën do të hapen 889 qendra votimi me gjithsejtë 2490 vendvotime, derisa numri i votuesve është 1 milion e 872 mijë e 941 votues.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor do të kujdesën e Policia dhe Prokuroria e shtetit, institucione këto me të cilat KQZ-ja ka nënshkruar edhe memorandum bashkëpunimi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 26 subjekte politike për pjesëmarrje për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 nisma qytetare.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 971 kandidatë për 120 vende për deputetë.

Këtë proces zgjedhor do ta vëzhgojnë rreth 30 mijë vëzhgues nga organizata vendore e ndërkombëtare, media vendore e ndërkombëtare.

KQZ ka bërë të ditur se rezultatet preliminare të zgjedhjeve, nuk do të vonohen, meqë është vetëm një fletëvotim dhe se numërimi do të jetë më i shpejt dhe rezultate preliminare mund të dihen që sonte.

Daka: Komisionerët të mos e keqpërdorin pozitën e tyre

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka është zyrtarja e parë që ka hedhur sot votën e saj në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Daka, pasi ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë, në një deklaratë për media ka kërkuar nga subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje që të mos e keqpërdorin pozitën e tyre.

“I ftoj qytetarët e Kosovës me të drejtë, të votojnë. I ftoj të gjithë komisionerët e subjekteve politike që mos ta keqpërdorin pozitën e tyre, të sillen sipas standardeve ndërkombëtare dhe t’i tregojnë botës se edhe ne jemi pjesë e demokracisë. Deri më tani nuk kemi ndonjë problem të paraqitur”, është shprehur Daka.

Rusia i fut hundët në zgjedhjet e Kosovës

Organet e sigurisë së Republikës së Kosovës kanë dekonspiruar një operacion serbo-rus, i cili ka pasur për qëllim dëmtimin e procesit zgjedhor të 11 qershorit në vendin tonë.

Qëllimi i këtij operacioni ka qenë inskenimi i një vrasjeje në veri të vendit, të cilin gjoja do ta bënin shqiptarët.

Të dhënat flasin se në të vërtetë, operacioni ka filluar disa ditë pas shpalljes së zgjedhjeve, përkatësisht  më 22 maj të këtij viti, kur, së paku një oficer rus i spiunazhit ka humbur jetën në një atentat në afërsi të pikës kufitare në Jarinje, 4-5 kilometra brenda Serbisë.

Besohet se, zyrtari rus ka qenë i ngarkuar me punë në të ashtuquajturën “Qendër Humanitare Ruso-Serbe” në Nish, e cila njihet nga perëndimi si qendër spiunazhi.

Për këtë, një portal prorus në veri të vendit ka zhvilluar një bisedë telefonike me ambasadën ruse në Beograd, ku siç dëshmon edhe audio-incizimi, diplomati rus i ka ikur përgjigjes.

Për çudi, ngjarja është mbyllur shumë shpejt për opinionin, dhe më tej nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga asnjëra palë.
Kjo e konfirmon faktin se operacioni ka qenë tepër sekret.

Të dhënat flasin se, e tërë ngjarja mund të ketë ndodhur duke marrë parasysh nivelin e lartë të sekretit, dhe së këndejmi zyrtari rus ka qenë cak i sulmit të grupit kriminal serb nga veriu.

Këtij grupi kriminal i printe Millan Radojçiq, i cili njëkohësisht është edhe bashkëpunëtor i lartë i shërbimeve serbe të sigurisë për komunat veriore.

Pas vrasjes së oficerit rus, shërbimet e të dy vendeve serbe dhe ruse, janë dakorduar që kufomën ta përdorin për vrasjen që do të duhej të ndodhte më 11 qershor në veri.

Kështu, për këtë vrasje, të dy shtetet përkatëse, do t’i akuzonin shqiptarët, përkatësisht institucionet e Republikës së Kosovës në mënyrë që procesi zgjedhor të diskreditohej rëndë.

Kjo do të ndodhte në rast të të pakënaqësisë me rezultatin e zgjedhjeve për Listës Srpska. Rrjedhimisht, gjendja në veri do të eskalonte dhe se i tërë procesi zgjedhor atje do të dështonte.

Organet e sigurisë së Republikës së Kosovës edhe më herët kanë poseduar informacion se Federata Ruse është e interesuar të ndërhyjë në procesin zgjedhor në Kosovë, ashtu siç është bërë edhe në Malin e Zi në tetor të vitit të kaluar, ku cak ka qenë vrasja e ish-kryeministrit malazez Millo Gjukanoviq.

Siç dihet, prioritet i shërbimeve të inteligjencës ruse në vitin e fundit, ka qenë përfshirja në zgjedhje në shumicën e vendeve evropiane, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor./GAZETA FAKTI

 

Shpërndaje

Rreth Autorit

Leave A Reply

Please type the characters of this captcha image in the input box

Bitte die Buchstaben des captcha Bildes im Eingabefeld eintippen

© 2014 faktinews.com ⎢ Powred by: newonline.ch