LOTARIA AMERIKANE PO E ZBRAZ DIBRËN

0

Shpallja e Lotarisë Amerikane viteve të fundit pritet me një interes të veçantë nga të rinjtë dibranë. Të dhënat e disa agjencive turistike thonë se në shpalljen e fundit kanë konkurruar mbi 300 të rinj dibranë, ndërsa mbi 20 e kanë fituar të njëjtën

Këto ditë u shpallën rezultatet e Lotarisë Amerikane dhe sipas të dhënave jozyrtare, mbi 20 dibranë të rinj kanë fituar këtë lotari dhe pritet që së shpejti ata të migrojnë në SHBA. Por, kjo nuk është mënyra e vetme që përdorin të rinjtë të papunë për t’u shpërngulur nga vendlindja, shkruan gazeta KOHA. Ata dekadën e fundit gjejnë edhe mënyra të tjera për të marrë një biletë në një drejtim për në SHBA, por edhe për në shtetet europerëndimore. Bëhet fjalë për një dukuri masive dhe shumë shqetësuese, meqë Dibra vazhdon të zbrazet.

Shpallja e Lotarisë Amerikane viteve të fundit pritet me një interes të veçantë nga të rinjtë dibranë. Të dhënat e disa agjencive turistike thonë se në shpalljen e fundit të Lotarisë Amerikane kanë konkurruar mbi 300 të rinj dibranë. Siç theksuam, këto ditë është zyrtarizuar numri i atyre që kanë përfituar këtë lotari. Në Dibër flitet se në këtë fazë mbi 20 të rinj kanë fituar këtë të drejtë legale për të bërë shpërnguljen në Amerikë. Duke marrë parasysh se në SHBA ka një komunitet të madh dibranë, flitet se atje ka mbi 15 mijë dibranë edhe interesi i të rinjve, kur është në pyetje shpërngulja, si primare kanë SHBA-të. Biseduam me një nga personat, të cilët kanë fituar këtë lotari. Tironi ka 32-vjet dhe ka përfunduar studimet universitare. Pa punë është më se shtat vite dhe, siç thotë, përfundimisht ka vendosur të lë Dibrën dhe prindërit e tij.

“Jam pa punë dhe pa shpresë për të ardhmen time”, thotë për KOHA Tironi, dhe shton se në Nju Jork ka anëtarë të familjes së tij, prej të cilëve pret që në fillim ta ndihmojnë. Por, rasti i Tironit nuk është i vetëm, meqë të rinjtë me diploma universitare në kontinuitet janë duke u shpërngulur nga Dibra. Në Amerikë viteve të fundit, duke shfrytëzuar Lotarinë amerikane, janë shpërngulur një numër i madh i dibranëve. Por, migrimi i të rinjve nga Dibra dhe normalisht i shumë familjeve të tyre, realizohet edhe në mënyra të tjera. Në muajin dhjetor të viti të kaluar, në mënyrë ilegale për në SHBA, siç flitet në Dibër, kanë udhëtuar mbi 15 të rinj. Anëtarët e familjarëve të tyre thonë se bëhet fjalë për të rinj të cilët kanë qenë të papunësuar.

Po ashtu një mënyrë tjetër që përdorin të rinjtë për t’u larguar nga Dibra është edhe fejesat dhe martesa me shtetas apo shtetase amerikanë me prejardhje nga Dibra, të cilët jetojnë në një nga shtet e SHBA-ve. Pothuajse çdo verë gjatë ardhjes së mërgimtarëve dibranë nga SHBA në vendlindje, regjistrohet një numër i madh i fejesave, por edhe i martesave mes të rinjve. Pritet që kështu të jetë edhe këtë verë, kur në Dibër do të arrijnë mërgimtarët. Familjet dibrane që jetojnë në Amerikë, kanë dëshirë që fëmijët e tyre të lidhen me të rinj nga Dibra.

Gjatë qëndrimit në Dibër, tani më është bërë traditë që të rinjtë nga Dibra me ata të diasporës, të njoftohen dhe pastaj edhe të fejohen. Në këtë mënyrë pastaj bëhen kurorëzimet dhe vazhdon ky proces edhe me përgatitjen e dokumenteve në SHBA për të marrë partnerët e tyre, qofshin meshkuj apo femra. Tani kur mundësit bashkëkohore mundësojnë njohjen edhe nëpërmjet rrjeteve sociale të internetit, paraprakisht bëhen njohje mes të rinjve, e pastaj ata realizojnë takimet gjatë verës. Po ashtu, shpërnguljet realizohet edhe nëpërmjet bashkimit familjar.

Shumë mërgimtarë të cilët janë shpërngulur në SHBA, bëjnë dokumentet e nevojshme dhe marrin në diasporë edhe familjet e tyre. Rrugëtimi dhe shpërngulja e dibranëve s’ka të ndalur. Është një proces i cili flet qarët për braktisjen e Dibrës nga shumë banorë të saj. Dibra për këtë shkak po mplaket nga viti në vit. Një numër i madh i të moshuarve sot jetojnë të vetëm dhe pret që anëtarët e familjes t’i takojë gjatë pushimeve verore. Krizat politike dhe problemet e thella sociale pritet që të stimulojnë edhe më tej braktisjen e dibranëve të qytetit të tyre, thonë përfaqësues të shoqatave qytetare.

Shpërndaje

Rreth Autorit

Leave A Reply

Please type the characters of this captcha image in the input box

Bitte die Buchstaben des captcha Bildes im Eingabefeld eintippen

© 2014 faktinews.com ⎢ Powred by: newonline.ch