QANI, NE JEMI TASH TË VETMUAR

0

(NË VEND TË LAMTUMIRËS)

Të gjithë ne që e njohëm nga afër dhe gëzonim statusin e të qenit mik me Qani Mehmedin do të ngelim të vetmuar, kurse ai do të jetë i shoqëruar me respektin dhe kujtimin e atyre që nga ai morën më të mirën – dinjitetin për të qëndruar deri në fund njeri.

EMIN AZEMI

Qani Mehmdin nuk do ta kemi n’mes nesh më fizikisht siç e patëm gjithmonë, por prania e tij  do të na ndjek gjithandej, sepse një personalitet si ai vazhdon të rrezatoj ndikim e ngrohtësi edhe pas shkuarjes në amshim. Një njeri i jashtëzakonshëm që më tepër interesohej për hallet e kolegëve se sa për punët e tija, një njeri që kurrë nuk pushoi së menduari për problematikat kombit, një njeri që shkoi me dëshirën e pashuar të konsolidimit të veprimit intelektual e politik shqiptar përtej kufijve të ngusht të gjeografisë së imponuar administrative.

Qani Mehmedi u bë pjesë e historisë së gazetarisë dhe publicistikës shqipe, duke krijuar stilin dhe qëndrimin e tij prej profesionisti e intelektuali, edhe në ato kohë kur njerëzit e kishin vështirë të mbeteshin gjallë e jo më të vepronin. Ai doli përtej trajtave të ngushta të zhurnalizmit klasik dhe ata që arritën ta tejkalojnë këtë përkufizim sterotip, sot me të drejt quhen bardë të gazetarisë. Një ndër ta është edhe kolegu dhe miku im, Qani Mehmedi, prej të cilit mësuan shumë gjenerata gazetarësh, por shumë pak prej tyre arritën ta tejkalojnë mjeshtrin.

Bashkëkohësia në gazetari ka rrezik ngandonjëherë të subjektivizohet në mungesë të një sensi kritik , por Qani Mehmedi në punën e tij prej sizifi vendosi paramtra kritikë, duke ngritur pragun e pakapërcyeshmërisë së jovlerave në gazetarinë që ai e ushtroi, për vete, por më shumë për ata që sot mund të quhen pauses të tij.

Veprimtaria publicistike e Qani Mehmedit ka vulën dhe shenjën e saj dalluese. Kjo veprimtari ishte  e prirur të ngrejë në rrafsh  diskutimi tema e problematika të ndjeshme, të cilat jo rrallë  pastaj ato kishin prodhuar një refleks reagimesh intelektuale, akademike e sociopolitike.

Qaniu ia arriti që, me vokacionin  e tij prej vrojtuesi të vëmendshëm , t’u jep zë ideve që më vonë u bënë edhe platforma politike e programe nacionale dhe këtë e realizoi jo  duke e kuptuar gazetarinë, thjesht si një zëdhënëse e ngjarjeve të kohës, por mbi të gjitha si mision që do të duhej të zëvendësonte ngandonjëherë diskurset e munguara publike mbi progesin shoqëror dhe emancipimin kombëtar të shqiptarëve. Prandaj Qaniun më tepër do ta  mbajmë mend si një profil gazetari që tejkaloi kallëpet e ngushta të gazetarisë së porositur dhe që solli në vëmendjen e publikut protagonist e ide intriguese, që për kohën përfaqësonin avngardën e mendimit dhe disidencën e veprimit.

Gazetaria e Qani Mehmedit nuk ishte thjeshtë pjesë reparteve pasive të shoqërisë që postfestum reagonte për devijimet dhe deformimet e kohës, por mbi të gjitha ishte debat-nxitëse mjaft aktive për shumë ide të kohës që eklipsoheshin nga inercia e politikës.

Historia shkruhet për t’u mbajtur mend. Por kur një histori është shkruar duke u përjetuar dhe bashkëjetuar, siç është edhe vet opusi i pasur publicistik i Qani Mehmedit brenda një harku kohor mbi katër dekada, atëherë duhet të konkludojmë se gazetaria përpos që i jep impakt aktual përditshmërisë sonë, ajo në të njëjtën kohë e furnizon hambarin e kohërave me ushqim, përtypja e të cilit vazhdon me dekada e shekuj. Për fat të mirë, Qani Mehmedi me këtë gazeatrinë e tij dinamike e udhëtreguese na ka dhuruar një ushqim të shëndetshëm, të cilin mbetet ta konsumojmë sa herë që ngelim të uritur nga mungesa e kreativitetit dhe profesionaizmit të vërtetë.

Të gjithë ne që e njohëm nga afër dhe e patëm mik Qani Mehmedin do të ngelim të vetmuar, kurse ai do të jetë i shoqëruar me respektin dhe kujtimin e atyre që nga ai morën më të mirën – dinjitetin për të qëndruar deri në fund njeri.

Pusho në paqë miku im i shtrenjët Qani!

 

18 korrik 2017

 

 

Shpërndaje

Rreth Autorit

Leave A Reply

Please type the characters of this captcha image in the input box

Bitte die Buchstaben des captcha Bildes im Eingabefeld eintippen

© 2014 faktinews.com ⎢ Powred by: newonline.ch