MERIMANGA DHE SHQIPTARËT NË RRJETIN E SPIUNËVE

0

Botimi në shqip i romanit ‚Merimanga e Sarajeves‘ i autorit Robert Wilton është një lajm i mirë për lexuesit. Ata qe deshirojne te lexojne romane te jashtzakonshme te spiunazhit, intrigave politike-diplomatike, historise, dashurise … ne qender te te cilave jane shqiptaret, duhet pa tjeter ta lexojne kete veper, shkruan studjuesi nga Londra, Daut Dauti, i cili para se të përkthehej në shqip,pat dhënë një vlerësim kritik për këtë vepër kapitale , të cilin po e risjellëm edhe një herë për lexuesit e Gazetës FAKTI.

Shtëpia botuese “Corvus” në Londër kësaj vere (2014) ka botuar “The Spider of Sarajevo” (Merimanga e Sarajevës), romanin e tretë të Robert Wiltonit. Romani është vlerësuar lart nga kritikët, të cilët e vendosin Wiltonin në mesin e shkrimtarëve sipëror në botën e shkrimit. Autori është vlerësuar si njëri nga novelistët më të mençur, kurse “Merimanga e Sarajevës” si një nga veprat më brilante të shkruara së voni.

Image result for the spider of sarajevo

Wilton dhe vepra e tij janë çmuar kështu për arsye se janë përmbushur të gjitha kriteret për një vlerësim të këtillë superlativ. Struktura e romanit i përngjan një vendbanimi të bukur që është punuar nga një arkitekt i zoti, i cili i njeh shumë mirë ligjet e ndërtimit dhe nevojat e banorëve. Tema që tërheq çdo lexues rrëfehet me një dinamikë të një stili të veçantë, të mrekullueshëm, letrar.

Ngjarja, për shkak të natyrës së veçantë, rrëfehet në formë të fragmenteve pasi që Wilton shmanget nga krijimi i situatave të panevojshme dhe përdorimi i fjalëve të tepërta. Në shikim të parë, fragmentet apo rrëfimi copa-copa, duket se nuk krijojnë lidhje me tërësinë. Në realitet lidhja ekziston, por është e fshehtë për shikimin e ngutshëm të syrit. Ngjarjet apo situatat e paraqitura u përngjajnë liqeneve të kopshteve mahnitëse aziatike mbi ujin e të cilave notojnë gjethet e mëdha me plot lule të ndryshme ekzotike që lidhen nën ujë me njëra-tjetrën.

Romani, për shumë arsye, mrekullon çdo lexues. Njësoj do të mrekulloheshin edhe shkrimtarët më të mëdhenj të cilët, pas leximit, me siguri do të dëshironin që këtë vepër ta kishin shkruar vetë.

Ngjarja është konceptuar në mënyrë unike. Pasi që romani është i zhanrit historik, është i vendosur mbi ngjarje të vërteta, kurse tema është spiunimi. Duke ia shtuar imagjinatën situatave historike, Wilton ka krijuar një strukturë të veçantë të romanit nëpër të cilin spiunët, duke endur rrjetin e komploteve, kryejnë punën e tyre. Kjo strukturë dhe dinamika brenda saj, në mënyrë kualitative qëndrojnë mbi nivelin e romanit konvencional të spiunimit.

Prandaj, çdo faqe e mban lexuesin të lidhur për librin duke ia shtuar kureshtjen dhe dëshirën që të qëndrojë prore në vijimin e ngjarjes. Me fjalë të tjera, „Merimanga e Sarajevës“ është një roman, të cilin lexuesi pos që e lexon njëkohësisht, e sheh edhe ngjarjen duke ndodhur. Vepra të këtilla nuk ka shumë.

Lexuesit dhe kritika qenë mahnitur me romanin “Emri i trëndafilit” të Umerto Ecos. Si është e mundur të shkruhet një vepër e tillë? Kjo e kishte detyruar Econ të shkruante një ese në të cilën e shpjegoi mënyrën e shkrimit të romanit në fjalë. Të njëjtës pyetjeje i është përgjigjur edhe Robert Wilton për veprën e tij “The Spider of Sarajevo”. Edhe ai ka ofruar një shpjegim për mënyrën e shkrimit, siç e kishte bërë edhe Umberto Eco. (shih: Robert Wilton: How Archduke Franz Ferdinandalmost lost me the plot)

ttp://www.theguardian.com/books/booksblog/2014/oct/07/archdukefranzferdinand-robert-wilton-on-writinghistorical-fiction).

Para çdo lufte shtetet angazhojnë shërbimet e spiunimit për të mësuar anët e dobëta dhe të forta të kundërshtarit. Shërbimi sekret britanik, në këtë rast një departament i veçantë i quajtur Comptrollerate-General, ka nuhatur të keqen që po zihej diku në Ballkan. Edhe një agjenci tjetër e spiunimit, e bazuar në Evropë, ka diktuar të njëjtin rrezik. Dy agjencitë armiqësore fillojnë “luftën” e zbulimit dhe kundërzbulimit. Në pranverën e vitit 1914, disa javë para fillimit të Luftës së Parë Botërore, Comptrollerate-General rekruton katër agjentë dhe i dërgon në vende të ndryshme për t’i infiltruar sa më lart e sa më thellë në organet e rëndësishme shtetërore dhe financiare të Fuqive të Mëdha. Agjentët janë njerëz që kanë treguar aftësi të jashtëzakonshme në profesionet e tyre të mëparshme. Agjentët (Ballantyne, Cade, Duval dhe Hathaway) të shpërndarë nëpër kryeqytetet evropiane, udhëhiqen nga majori V. Knox, i cili është një kryespiun me përvojë të gjatë në shërbime sekrete.

James Cade dërgohet në Stamboll dhe ka për detyrë të hulumtojë fuqitë financiare dhe lëvizjet e fshehta të perandorive (otomane, austro-hungareze dhe gjermane) që do të ndikonin në lidhjen e aleancave të mundshme politike dhe ushtarake. Wilton me personazhin (agjentin) Cade e shëtit lexuesin nëpër zyrat, sallonet, restorantet dhe pjesët e bukura të Stambollit. Gjatë këtyre lëvizjeve lexuesi njihet me mentalitetin e zyrtarëve, diplomatëve dhe financierëve evropianë e rezidentë të Stambollit legjendar, por edhe me sharmin diskret të aristokracisë multinacionale otomane që po hynte pa dashur në një luftë në të cilën do të shpërbëhej përfundimisht. Sjelljet e njerëzve, ndjenjat, dialogët e tyre dhe gjërat e tjera shpjegohen në atë mënyrë saqë të mbushet mendja që autori ka qenë aty dhe tashti është duke e rrëfyer ngjarjen që e ka parë me sy të vet dhe e ka përjetuar me ndjenjat e veta.

David Duval në Paris dhe Flora Hatheway në Berlin dhe gjetiu në Gjermani, kanë për detyrë të zbulojnë fshehtësitë e fuqisë franceze e gjermane, sikur edhe ndërlidhjet me shtetet e tjera. Në mënyrë magjepsëse puna e këtyre spiunëve dhe kolegëve të tyre nga tabori i armikut lidhet duke krijuar fijet e rrjetit që çojnë te burimi i “Merimangës” në Sarajevë, ku një grup terroristësh serbë përgatiste një katastrofë që do të merrte miliona jetë njerëzish.

Pos spiunëve, romanit i japin ngjyrë të veçantë edhe personazhe të tjera, siç janë: diplomatët, policët, ushtarakët, etnografët, antropologët, shkrimtarët, luftënxitësit, aktivistët paqësorë, financierët, aviatorët, kontrabandistët, fshatarët, etj. Të gjithë këta, me dije apo pa dije, me dashje apo pa dashje, përfshihen në rrjetin e spiunimit duke qenë objekt apo subjekt.

Për lexuesin shqiptar, por edhe për atë ballkanik, agjenti më i rëndësishëm është Ronald Ballentyne, i cili e ka për detyrë ta mbulojë rajonin e Ballkanit dhe të merret veçanërisht me shqiptarët. Madje romani fillon me aktivitetin e Ballentyneit në malet e Shqipërisë së veriut ku ai përjeton mikpritjen tradicionale dhe sheh jetën të rregulluar me norma të lashta juridike. Në skenën hyrëse paraqitet edhe ndihma që i ofrojnë malësorët Ballentyneit kundër kontit Hildebrandt, një spiun i cili nuk dihet se për cilën agjenci punon, por që vazhdimisht tenton ta vrasë Ballentynein.

Qëndrimi i agjentit Ballentyne në Shqipëri lidhet me ngjarjet historike të vitit 1914. Atë e shohim edhe në Durrës, i cili qytet atyre ditëve vlonte nga të huajt (shumica spiunë), që presin ardhjen dhe aktivitetin e Princ Vidit në shtetin e sapoformuar. Autori nuk harron të paraqes qëndrimet politike të Fuqive të Mëdha që reflektohen në Shqipëri nëpërmes kanaleve zyrtare përfshirë edhe atë të spiunimit. Shumica e të huajve nuk kanë njohuri e as ndjenja për situatën dhe shqiptarët. Majori Knox, eprori i Ballentyneit, mendon që gjuha shqipe është sikur serbishtja. Ballentyne, si antropolog dhe njohës i mirë i shqiptarëve, duke e përdorur cinizmin e njohur anglez, i thotë majorit që shqipja me serbishten përngjanë sikur anglishtja me kinezishten (f.155).

Ballentyne, për shkak të detyrës, urdhërohet që për një kohë të vendoset në Beograd. Nga Durrësi dhe Shkodra ai rrugën e bën me anije nëpër Adriatik dhe me tren nëpër territorin e Kroacisë së sotme. Natyrisht, rrugës ndodhin ahengje, vrasje, dashuri e seks dhe elemente të tjera që kërkon romani i spiunimit. Në Beograd Ballentyne është në rrezik jete nga agjentët austro-hungarezë dhe është nën përcjellje të njerëzve të Apisit. Kur atij i kërcënohet rreziku, aty janë shqiptarët për t’i ndihmuar, të cilët në këtë qytet jetojnë të organizuar si shoqëri e pathyeshme në sistemin e tyre paralel, siç kanë bërë gjatë tërë historisë. Ata kanë ligjet e tyre, jetën, kafenetë dhe shtëpitë që i mbajnë larg dorës zyrtare serbe. Shqiptarët e Beogradit nuk e njohin agjentin Ballentyne. Por, ata e njohin njërin i cili e njeh Ballentynein e që vjen me rekomandim të tij nga Shqipëria.

Në Serbi Ballentyne has edhe në dilemën e tij të madhe. Serbët kërkojnë informata për shqiptarët dhe Shqipërinë e veriut pasi që po zienin plane për rajonin. Ai duhet të bashkëpunojë me regjimin serb, pasi që Serbia është mike e Anglisë. Por, Ballentyne personalisht është mik i shqiptarëve. Të vazhdojë me lojalitetin personal ndaj shqiptarëve apo me ruajtjen e miqësisë shtetërore anglo-serbe? (Kjo është dilema). Autori, duke dashur ta ruajë kualitetin e personazhit (burrërinë e një anglezi), ka zgjidhje ideale për këtë problem.

Puna e spiunëve vazhdon me gjithë ato komplote dhe përfundon me triumfin e anglezëve, të cilët, natyrisht, gjithmonë janë zanatlinjtë më të mirë të këtij profesioni. Fakti që duhet potencuar është se shqiptarët janë qendra e romanit. Mu në fillim të librit autori citon nenin 840 të Kanunit të Lekë Dukagjinit që rregullon obligimet e dyanshme në rast të konfliktit (vrasjeve). Pastaj bëhet krahasimi me Konventën Ushtarake të Aleancës Franko-Ruso të vitit 1892, e cila njësoj rregullon obligimet dypalëshe në rast të sulmeve që mund të vijnë nga pala e tretë. Edhe pse në nivel shumëpalësh dhe ndërkombëtar, obligimet janë të njëjta për palët nënshkruese, por “konventa” e shqiptarëve, që rregullon këtë aleancë, është shumë më e vjetër.

Wilton nuk harron ta paraqes prezencën e komponentit shqiptar edhe në Londër. Në korridor të Foreign Officeit, Knox dhe Ballantyne takohen për një bisedë të shkurtër me Edith Durhamin, e cila sapo kishte dalë nga zyra e Terrenceit, shefit të Departamentit për Adriatik dhe Evropën Juglindore. Durham e vizitonte shpesh Foreign Officein për t’i bindur funksionarët e kësaj ministrie se edhe shqiptarët duhet të kenë të drejta dhe insistonte që edhe ky popull të trajtohej si fqinjët që i kishte përreth. Kësaj radhe Durham ia kishte dhuruar Terrenceit një palë opinga që i kishte sjellë nga Shqipëria. Terrence i shikon opingat dhe nuk ka ide se kur dhe ku do t’i përdorte. Ai sikur edhe eprorët e tij nuk kanë ide se ç’duhej bërë as me shqiptarët. Në këtë situatë, Durham, së bashku me zonjushën Gowing, trupojnë oborrin e Foreign Officeit dhe marrin rrugën për te restoranti i Preshës.

Për të nxjerrë në dritë një roman të këtillë kërkohet talent në të shkruar, njohje të funksionimit të shtetit (përfshirë sigurimin sekret), marrëdhënieve ndërkombëtare, historisë së Evropës… Mbi të gjitha, kërkohet njohje, dashuri dhe respekt për shqiptarët dhe kulturën e tyre. Robert Wilton i posedon të gjitha këto kualitete njerëzore dhe profesionale.

Në fund duhet të thuhet ajo që ndoshta është dashur të thuhej në fillim. Robert Wilton, në formë dhurate, romanin ua kushton shqiptarëve në shenjë të mikpritjes së tyre dhe duke dëshiruar që ata (shqiptarët) të mos jenë më viktima të fiksioneve të historisë. Pa asnjë dyshim, romanin “The Spider of Sarajevo” shqiptarët duhet ta konsiderojnë si njërën ndër dhuratat më të mira që kanë marrë kohëve të fundit.

(Për lexuesit shqiptarë dhe anglezë libri është promovuar më 15 gusht 2014 në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër. Paratë e mbledhura nga shitja e librit gjatë promovimit autori ua ka dedikuar atyre që kanë nevojë më së shumti në Kosovë).

 

Shpërndaje

Rreth Autorit

Leave A Reply

Please type the characters of this captcha image in the input box

Bitte die Buchstaben des captcha Bildes im Eingabefeld eintippen

© 2014 faktinews.com ⎢ Powred by: newonline.ch