VETËDIJA SHKRIMORE E ANTON PASHKUT

0

(Në 80 vjetorin e lindjes së autorit)

Përgjigjen e vlerës së teksteve letrare, të A. Pashkut, madje të secilit autor, e jep leximi dhe receptimi i shenjave letrare, si dhe koha e leximeve të pafundme, që zbulojnë vatrat e ligjërimit.

Nga Behar GJOKA

Një shënim autobiografik i Anton Pashkut, pak muaj para vdekjes, jep dorë për të kuptuar diçka nga jeta e autorit, e sidomos nga momentet e fundit të jetës. Autobiografinë e botoi në gjallje të tij në mars 1995. Në tetor të po atij viti ndërroi jetë. Autobiografia përshin origjinën e shkrimtarit, brengat dhe gëzimet e jetës në Kosovë. Në mes rreshtave të këtij shënimi autobiografik, mund të ndjejmë dozat e ironisë, dhimbjen, brengat varfërisë dhe shqetësimet e shkrimtarit modern të letrave shqipe.

Anton Pashku, i shquar si një nga penat më magjike të prozës, krahas Mitrush Kutelit e Martin Camaj, edhe në këtë shënim biografik lë gjurmët e një stili interesant të shkruari. “Jam hasjan. Nuk kam lindur në Has…. Kam lindur në Grazhdanik….. Intresante është se sot vështirë do të më njihin atje. Gati kurrë se vizitova Grazhdanikun, pas lindjes. Bile dyshoj se do të më lejojnë të varrosem atje, kur të vdes…?!

Nga Anton Pashku, si teksturë e shkruar, përveç trashëgimisë letrare në prozën e shkurtër, për të rritur dhe fëmijë, shqiptuar artistikisht si tregime fantastike, po kaq të romanit OH dhe tragjedive moderne, Sinkopa dhe Gof, kemi edhe një tekst jetëshkrimor, të përcjellur me titullin Shënime autobiografike. Topikat jetëshkrimore, më qenësore të Pashkut, megjithatë dukshëm, ravizojnë disa nga vatrat bazale, të thurjes së monografisë së plotë, të një konceptualiteti të dyfishtë, të jetës dhe veprës së Anton Pashkut. Nga shfletimi i shënimeve autobiografike, vihet re se të dhënat e këtij jetëshkrimi të shkruar nga vetë autori, hedhin dritë mbi hapësirën ku jetoi autori dhe, ndërpriten me aktin e VOX-it, pra pa hyrë në kodet ligjërimore estetike të krijimtarisë letrare. Përcaktimi i shenjave më thelbësore të hapsirës jetësore, në penën e autorit, vjen e ngulitur në tri pamje:

A – Jam hasjan. Ky është pohimi i parë që përçon lidhjen me hapësirën të cilës i përket, por shumë më tepër, pohon dëshminë e identitetit, që ka të bëjë me krahinën, me kulturën dhe tiparet me qenësore të saj, krahasimisht me zonën përqark, të cilën nuk ka arsye për ta humbur askush.

B – Prizreni, kryeqyteti i besëlidhjes shqiptare të kohëve moderne, që përkon me qershorin e vitit 1878. Po të nisemi nga ideja e rëndësisë që i japin teoritë biografike dhe letrare, se sa vlerë ka jeta fëminore dhe rinore e një njeriu, aq më shumë e një artisti dhe shkrimtari, vetëkuptohet që Prizreni, bëhet djepi i mëkimit të dashurisë për atdhe, për gjuhën shqipe.

C – Prishtina, qyteti i bozhureve, ëndrra që ngjizi pavarësinë e Kosovës, në harkun njëshekullor, altari i dijes, kulturës, letërsisë dhe përthekimit të identitetit modern të shqiptarëve të Kosovës, shndërrohet në prizmin ku thyhet dhe përthyhet jeta dhe vepra letrare e Pashkut dhe plejadës së mjeshtrave të shkrimit të letërsisë shqipe, me kulme të veçantë në poezi dhe studime letrare, por që me prozën e Pashkut, vetiu e shëndrron në një vatër të ligjërimit të prozës moderne dhe fantastike. Këto tri pamje, të menduara gjatë nga shkrimtari, pa asnjë dyshim, janë linjat kryesore nga do të rrjedhojë hartimi i biografisë së shkrimtarit, që pashmangshmërisht ndërthuret me shënimin autobiografik që na ka lënë autori, ku edhe janë vulosur piketat nga mundësohet formulimi monografik, jetësor dhe letrar.

Praktika e hartimit të autobiografisë, tepër të shkurtër, ndonëse me tipare thelbësore, të shpie deri në periudhën e largët, të letërsisë së hershme shqipe, pikërisht te praktika e hartimit të parathënieve dhe pasthënieve, të cilat edhe sot e gjithë ditën, kanë peshë thelbësore për historinë e shkrimit letrar në gjuhën shqipe. Pjesë e rëndësishme e mikrobiografisë së ligjëruar nga vetë shkrimtari, është koha e shkollimit, e punës si redaktor i revistës Jeta e re, gazetës Rilindja, dhe entit botues Rilindja, ku punon për 34 vite. Ndërkaq, shtyllën kryesore të monografisë, të kontributeve të shumta letrare, si prozator, dramaturg, autori vetëm sa e zë fill me shënimin:

D – Vox clamantis…Pra, duke heshtur për krijimtarinë letrare. Heshtja në këtë rast, fatlum si gjurmë të jetës së shkrimtarit, atëbotë kur të tjerët, shkrimtarët bashkëkohorë, nuk dinë të heshtin. Pashku, edhe simbas leximit dhe interpretimit të studimeve letrare, ndërkaq foli me veprën letrare, materializoi estetikisht tregimet fantastike, për të rritur dhe fëmijë, romanin modern OH, tregjeditë moderne, Gof dhe Sinkopa etj. Prandaj heshtja e përkorë e autorit, është një pikë tjetër e vetëdijes shkrimore, të një lëvruesi të gjuhës shqipe, ne dy variante, në gegnishte dhe në gjuhën e njësuar, e po kaq të lëvruesit të versioeneve letrare, tipare të cilat ngjizin një dukuri të mëvetësishme letrare në letrat shqipe. Përgjigjen e vlerës së teksteve letrare, të A. Pashkut, madje të secilit autor, e jep leximi dhe receptimi i shenjave letrare, si dhe koha e leximeve të pafundme, që zbulojnë vatrat e ligjërimit.

Shpërndaje

Rreth Autorit

Leave A Reply

Please type the characters of this captcha image in the input box

Bitte die Buchstaben des captcha Bildes im Eingabefeld eintippen

© 2014 faktinews.com ⎢ Powred by: newonline.ch