YMER SHKRELI I HARRUAR

0

Akuzat se “letërsia ka pak letërsi të mirë” i hedh poshtë vepra e Ymer Shkreli.

Letërsia shqipe duket sikur është kufizuar në dy-tre autorë dhe ka lënë anash shkrimtarët që vlejnë si puna e Ymer Shkrelit. Ky autor njihet për stilin e tij të veçantë dhe tezat filozofike që shtron në çdo vepër. Që nga titujt e deri te fjalia e fundit, gjithçka është e mirëmenduar.
Te romani i tij “Vdekja ne ajër te pastër” shqyrtohen tema të thella të moralitetit dhe të traditës shqiptare. Trajtimi i moralitetit të vrasjes është si te asnjë shkrimtar tjetër.
Ky autor është krahasuar me Dostojevskin dha Kamynë  dhe përbënë një vlerë në letërsinë shqipe.
Vitet e vrullshme të fundit të shekullit të kaluar, lufta e Kosovës dhe shumë rrjedha të tjera bënë që gjeografia kulturore, sidomos ajo artistike shqiptare, të ndërrojë shumë dhe me këtë të humbet edhe ai sistemi i krijuar, pak a shumë, i vlerave krijuese e shkencore. Ky ndryshim, shpesh kaloi në degradim e mospërfillje autorësh e vlerash dhe ndikoi që shumë krijuesë të heshtin, të mos bëheshin pjesë pseudovlerave dhe mandej edhe të harroheshin nga ata që dikur i donin e ҫmonin.

Disa nga veprat e Ymer Shkrelit:
  • „Princesha e Dukagjinit“,
  • „Princi i Bjeshkëve të Nemuna“,
  • „Ditari i Lec Pazhecit“,
  • „Kthema pranverën time“,
  • “Lec Pazheci”, roman humoristik
  • „Bali Katravella“, roman humoristik
  • „Autobiografia“ prozë humoristike
  • „Hëna po shkon nuse“, tregime
  • „Ditari i hajnit“
  • „Romanella“
  • „Bima e dreqit“, tregime
  • „Pikëpjekja“, roman
  • „Shpendkeqja“, roman
  • „Ura e xhehnemit“, Roman
  • „Kërkoj dënim me vdekje“, poezi
  • „Febris“
  • „Ballkanica“
  • „Vdekja në ajër të pastër“
  • „Njeriu me bisht“
  • „Trilogji Ilire“
  • „Heronjtë e kombit“ – dramë
  • „Zeka i Zi udhëton përnë Babilon“
  • „Teatri i vogël i Deli Ukës“, dramë
  • „Absurdi“, dramë
  • „Shpend Sokoli i Sokol Shpendit“, dramë
  • „Genti“, dramë
  • „Hotel kashta“, dramë
  • „Poezia“- lektyrë shkollore për nxënësit e klasës së 8-të.

Mendime për Ymer Shkrelin:

Ramadan Musliu, shkrimtar dhe kritik
Ymer Shkreli, eshte shkrimtar nder me te miret në letersine shqipe, ne zhanrine romanit, tregimit, dramaturgji…Personalitet edhe me integritet te larte moral!
Faruk Tasholli, poet
Ymer Shkreli, ne vitet shtatedhjete dhe tetedhjete ishte shkrimtari më me kondicion krijues, kultivues i suksesshem ne fushen e tregimit, te romanit, te poezise te drames dhe vecanerisht, te radiodrames, ku ka bere shume dhe permendet me se paku. Me vjen keq qe ky shkrimtar me ndikim, heshte ose e ka braktisur shkrimin, si me ka thene personalisht ne nje takim qe kishim para disa viteve diku ne Europe. Ai ka pasur ndikim pozitiv te shume shkrimtare, sidomos te te rinjte, qofte me dijen, qofte me pervojen e tij. Mos te harroj me kete rast se edhe ne fushen e Leterisse per femije ka lene gjurme te pashlyeshme, sidomos me permbledhjet e poezive Princesha e Dukagjinit dhe Hena po shkon nuse, duke radhitur ketu edhe romanin „Bali Katravella“ nga motivet e perralles popullore nga del ky personazh. Volumi krijues i Ymet Shkrelit nuk mund te perkufizohet me pak fjale si ne kete rast.

Xhemajl Rudi, poet
Ymer Shkreli eshte nje shkrimtare i shkelqyer serioz dhe me vlera letrare te shumeanshme e te pakontestueshme…

Poezi nga Ymer Shkreli

 
Nga përmbledhja “Kërkoj dënim me vdekje”, 
botoi “Flaka e vëllazërimit”, Shkup 1978
 
DASHURI

E gjeta veten e humbur një herë
në flokun tënd;
tani jam më i ri për një vdekje
po shoh verbët –
dhe shumë më mirë;
i gjeta puthjet që heshtja
i paska shndërruar në peshq
aqë sa edhe akuj
o dreq –
mes mishit e thoit
e gjeta varrin e premtimit:
dashuria s’ka sy
e ka shpëtim –
midis mishit e ashtit
ose duhet përqafuar
fundin e këtij deti të marrë:
bima e dreqit

a të kthejmë në nismë
a të nisemi dikah tjetër
dikah që s’jemi dy
ose të vazhdojmë –
deri në fundin e lojës së vjetër
një herë një

NUK KAM TITULL PËR TY

Nëse ma vononi pranverën
dtë kallem flakë –

zi

se
Jan Pallahu;
nëse më vononi pranverën
kurrë më s’u sheh syri
stinë tjetër:
miqtë
e
mi

mbetur

(Pranverë e shtatëdhetë e treshit)

MIKUT PA EMËR

Jam bërë si kjo rrugë
që në gjethe zë pritën;
nesër mos më thuaj
më shitën stinët vetëm për lule o mik
i natë sime;
lulet s’patën as s’panë duar

ky lum do ta gjejë
detin e vet –
për vetëm një pikë ujë;
ky lum
është mallkuar;
të tillë jemi lum miku
mos ma shih për të madhe
s’e pranoj ndryshe –
s’jam refren i askujt ta them pa hile:
a s’ishte më mirë
mos të takoheshim atë ditë
që të mos shahemi pastaj
kur ndeshëm në urë

jam bërë si kjo rrugë
që në gjethe ia zë pritën vesës
për t’u venitur
e para
kaq shumë dua të tujgem

(15.12.1969)

EJA

Unë
përse paskam lindur –
se harrova
oh
ma sillni botën për ngushëllim
atëherë;
ose do të ju vërshej lumi

a ju thashë:
ma sillni botën për ngushëllim
sepse s’kam lodra;
mbase –
e kam pak kohë në vetullë
që bën ditën e natën
e syrit

e gjuha
ku është gjuha –
pse s’flet goja
pse hesht;
goja ma ka ndryrë gjuhën
ah-
t’ishte goja imja

(28.03.1971)

SHPATA

Ajo e ndau ndau në dysh botë time
unë as kal s’kam;
vallë –
për këtë pjerrtësi
a janë të domosdoshme katër këmbë

ajo erdh nga larg
e sharroi thellë thellë
atje diku është fundi i dorës
dhe nisma e kokës;
atje është lulja
që nuk ҫel –
ajo erdh nga larg
e sharroi thellë thellë thellë

ajo ndau më dysh botën time
dhe më la pa mua:
a do të kem fuqi

ta provoj edhe një jetë sado të vogël
ose zotin gurë e kam zgjuar
ose
duhet të zbres në katër këmbë kafsheje
nga dy këmbë njeriu

(Data e parëndësishme)

VULLKANI

kur flemë të gjithë
zgjohet më në fund
kur zgjohemi prej nesh –
ka ngelur vetëm ai
në gjumë;
ai ka zjarrin
ne kemi hirin

kur flemë të gjithë
ai hesht –
që t’i kopjojë ëndërrat tona
pastaj zgjohet me mëllef:
ai s’ka
as po as jo
zgjohet rrallë –

vdes shumë

ai s’ka komb
ai s’ka fe

ka besim
në vete

na ka ne:
a s’është shumë
plus-
ëndërrat tona

SKENDREBEU

Mbi gurë varresh
drekuan fëmijët e nënat
mblodhën thërmiat;
nga ҫefinët e bardhë
u ngritën lulet me pjesët tona
e të ditëve plagë –
deri te ashti i kërcyellit të kombit:
mëngjeset i fshinë sytë;
pagjumësia e shekujve
zu pritën në tehun e shpatës së tij
dhe të fjalës sime:
Skenderbeu –
erdh disa herë dhe shkoi përsëri
që të më vijë mbi kokën time
të qelbur të etur për vesën
dhe lulen e hirit
pa u vyshkur
nata e mbrëmshit në kujtimet e irnosura
e pastaj fëmijët me duar të nxira
do t’i shënjojnë gjinjtë e nënave
dhe thërmijat

(1968)

RELATIVITETE

Nganjëherë
më duket se kam ardhur në këtë botë
me një vete tjetër –
barrë të padukshme të gjykimit
t’i përkëdheli hijet;
nganjëherë
zë në thua në pjatën e parë
të fëmijërisë sime
e përplasëm
për rrum një shekulli
dhe pak më duket;
pastaj
përfill baltën unë i zgjebosur
s’e pranoj këmishën
barkcullak –
ngarend nëpër vjetët
hund gurë
pa fshehur dorën:
qeshem si balta e lodhur nga hapat

nganjëherë
s’i përfill as ҫerdhet;
zogjtë lëshojnë kokën time
unë ҫmendem pas lodrave që s’i kam
dhe iki nga lëkura ime –
i sosur

(9.04.1967)

DITËT

fundi i kësaj hapësire
nuk është pleqëria
po thellësia e shikimit tim;
pleqëria –
qielli njëherë zbret
toka ngriet –
vetëm
gurët harrohen e dheu
pvrtypet:
thneglat i gëzon;

funi i kësaj hapësire
nuk është pleqëria
ajo vjen –

në katër këmbë e kemi vdekjen;
për jetë –
mjaftojnë dy duar
dhe një kokë e rëndë

(Shtator. 1971)

FLAMUJT E KASHTËS

të parin flamur e ngulni në zemrën time
të parin flamur pas besës

unë kam vetëm një zemër dhe një tokë

në tokë shkilni të gjithë me mëkatet
për zemër e pritni radhën

të dytin flamur e ngulni në maje të gjuhës
të dytin flamur pas gjakut

unë kam vetëm një gjuhë dhe një djep

në gjuhën time betohuni se jini vëllezër
e në djep betejë e madhe ju pret

të tretin flamur e ngulni në shpirtin tim
e hiqni vallen e shtogut

o unë kam një Kosovë dhe një flamur

në Kosovën time e hudhni farën
e fluturën e keni flamur

të katërtin flamur e ngulni në maje të botës
e maja e botës është në kokën time

hej unë kam veç një kohë për betim

kokën time e shqelmoni lirisht si djallin
se betimi është ky që dhashë

ASGJË PUNA JOTE O ALI BINAKU

ti thoshe se toka do ta ndërrojë fytyrën
pasi të kalojë shiu me ushtritë e marra
e kalorësit të kthejnë në konaqe të bardha

ti thoshe he t’u thaftë goja

e në ballë të oxhakut luajnë shtrigat
e pjekin kafe për dorasët e verës
e fëmijët edhe lumit ia ndërrojnë kahjen
e qentë i lehin shiut e breshërit
e mali e shiti edhe atë hajdutin plak
e pleshtat e qëndisën edhe ylberin në gjoks
e ti thoshe
he t’u thaftë goja si rrasa në diell

asgjë puna jote o ali binaku
as e bijve e nipave as stërnipave të tu
se ara pa ujë e mallkoi edhe diellin
e rrugët s’po prekin gjunj mbi dhé
e megjet po tirren në futa të zeza
e pullazet janë të vetmit qefinë për ditët
e varret po heqin lule prej zemrave tona
e zanat po qëndisin shami të djegura
e ti thoshe
thoshe

heu prieçat e tua po i bajmë si flamur
dhe erë e rëndë po ngatërron në mjegull
o ali binaku ti njeri pa oxhak

se tani edhe minjtë po të luajnë në santraç
pra thoshe se toka do ta ndërrojë fytyrën
pasi të kalojë shiu i rëndë si vdekja
e kalorësit të kthejnë në konaqe të fjalës
e besa të shtrohet trojeve si flakë
po ti thoshe he t’u thaftë goja
e u bëfsh qyqe mali atje në maje
ku zemra s’prek e syrin e ndjell lakmia

DIÇKA SI TI

diçka si ti është edhe kjo letër
e mund të shkarravis
cilindo fragment të jetës sime

ti vdekja ime e dashur
merre dorën time
e yjzit në qiell ndiqi si e marrë
o merre jetën time si çmendi

se diçka si ti është edhe kjo letër
e mund të shkarravis
cilëndo vdekje të jetës sime

Nga “Ditari i hajnit”, “Rilindja”, Prishtinë, 1971

ROMANELLA

hej e shtere detin e zi
romanella
kund s’lë akull pa shkri

romanella
t’u bë’sha kashtë n’flokë

e zgjove detin e vdekur njëherë
romanella
daulle për duart e kësaj bote

romanella
t’u bë’sha gjarpër n’shtrat

e ndoqe detin e kuq deri n’sytë tanë
romanella
mys që ngin botën vet’ e unët

romanella
t’u bë’sha vdekje pas dashurisë

KALLAISMA QIELLIN

kallaisma qiellin
se po ma lëshon pikën

kallaisma çadrën
dielli po më shkrumon

kallaisma ballin
djersa po më krip

kallaisma syrin
të këndoj i verbër

kallaisma diellin
dua ‘i diell maxhup

o kallaisma qiellin
se po ma lëshon shiun

e sa herë bie shi
pastaj na nxin dielli

Nga “Romanella”, Botim i Autorit, Mitrovicë, 1974

TAN SALI

piu ujë me gjarpër
fjeti me zhapinj
shtatëdhjetë vjetët ia qepën kapakët e syve
për një sy gjumë më vonë

ushtria e tij
shiu era zjarri

kur ngjesh armë e akuj tan sali
e merr lemza malin
gokëson shkëmbi

fluturat e tij
jetojnë shtatë ditë
ai shtatëdhjetë vjet

kur i mbyllen lulet tan salit
ndërron moti
edhe zogjtë heshtin para shiut

ai nuk e mat kohën
ndaj i besoj asaj

oh tan sali
t a n  s a l i

THOTË MIRKU

mbi varrin tim mos mbani fjalim
ai nuk është varri im
lexoni poezi
varret nuk janë tonat
varre hapin ata që tjetër nuk dinë
në anën tjetër të kohës – nuk është çudi
me nga një jetë të mbërrijmë
mbi varrin tim mos mbani fjalim
lexoni poezi
ky nuk është varri im
mbi varrin tim mos mbani fjalim
lexoni poezi
u poqa disa herë
po digjem përsëri

Nga “Febris”, “Rilindja”, Prishtinë, 1975

PESHORJA PËR KOHËN E SAKTË

Sa më e rëndë është dita
unë më i papeshë;
hiqem e përvëlohem –
mëngët i përvjel
t’i zbres asaj në qafë

sa më e rëndë është dita
nata vjen më e bardhë
zëri nis të shterojë
deri në fundin tim –
zbres
të ngjitem përpjetëzës së rrejshme
të lartësive sa thoi:
përsëri jam në fund
me përmbytjen në gjumë;
këmbadoras nisem
nëpër vijën e gjakut
deri në pafund:
kërkoj varrin tim
dhe një zot e di
a do të qesh
ose do ta pështyj;
hiqem e përvëlohem
mëngët i përvjel –
t’i mbetem ditës në qafë
e askund xhelati.
Nata vjen më bardhë

(1.10.1967)

Nga “Kërkoj dënim me vdekje”, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 1978

BALCANICA

Balcanica, 1
III.
ajo krijesë e marrë e paemër se ç’më kishte formën
e paformë; tënden ballkan që më ndërron përditë fëmijë
përditë i ndërrove këmishat e natën u zhveshe u zhveshe
lavire e shitur që i fshin gjunjtë me pendla të arta
trajtë e patrajtë që u zvarrise të mbërthesh njeriun
ku e ke fundin: thuaj; fillimin as që e pate mësa yllin
krijesë e marrë që fillove me formën e kësaj toke boshe
dhe në tokë kërkon shpëtim ta gjesh madje përmbarimin
do të zësh vend tani kur erërat kanë harruar veten
e na kanë lëshuar kahje; besa s’di kah thyejmë qafën
ose t’i rrasim gishtat në drita të syve e të nisemi
dikah ta gjejmë ndonjë pol të vetes që të ndalemi; heu
dhe të zëmë ty për qafe ballkan; ndalu njëherë ebu
s’më dhe kohë as në fund t’i bie kësaj nate: ndërrove
formën si të mos ishe ai që të njoh e s’të pranoj;
dikur moti kur të përrallohet historia e vejë e kësaj dite
do të shfaqesh në trajtë njeriu me duar e këmbë;
mbase s’të presin veç ditët nëpër jetë; për ty lum bëfsha
të pret nata e ta vë gjumin në pritë: evropa jote evropa
e ta bën punën e grave që e bëjnë burrat dhe vdesin
ta ndërron formën të rritet barku i rreshton heu kopilat
që marrin këmbë; ikin; me gurë ta thyejnë qafën: të qëndisin

Balcanica, 2
IV.
nëna ime ballkan i shtruar; i dhemb diku pas bjeshkës
edhe në ije; gjëmon ajo fryn era: bie breshër breshër
ia mbaj mend njëmijë e një mallkime në një fjalë
besa edhe dy-tri vera; katër-pesë plagë plagë
herë i dhemb në istri herë në karpate herë në spartë;
nëna ime e ka shpikur breshërin që t’ia thyejë kokën
kokrra e madhe sa guri i ferrit që bie ngaherë heu
prej gjuhës; ajo thotë: kur do të më bjerë guri zemrës
nëna ime ballkan e shtruar sa gjerë sa gjatë tokës
përjarget në tre dete: fryn era; ushton shiu shiu
derisa vjen mordja ajo betohet në ne: është breshër
e ç’të mirë sjellin era e shiu kur e ke nënën vjeshtë
të shtrirë si ballkani: gjëmon; i dhemb pas bjeshkës
në anën tjetër të malit; ne turremi ta zbulojmë dikuhen
pastaj kthehemi me gisht në gojë: dikahe; lotët s’dalin
ka pushuar shiu e këmbët s’i gjejmë nëpër breshër
ajo dënes: po na gjuan zoti me gurë; vraftë veten heu
ballkan është ky i them loke; s’vret e gjuan gjuan

Balcanica, 3
III
unë në mes e gjithë rreth meje guri guri guri
e qielli i vrugët përmbi e toka përfundi e druri
e shpatat e vdekshme dy-tri pika gjaku më shumë
orët e ndryshkura të malit orët e jetës pa gjumë;
kam nisur t’i dal matanë ujit të quajtur kohë oh
ngadalë në damarët e mi rruzat e kuqe i shoh
përsëri uji e gjaku e djersa e loti e pikë pikë
e qielli përmbi e toka përfundi veç ik ik ik;
një rrashtë nga pellgu tani veç ngrihet pa skelet
e vihet në roje mbi lëkurën time ballkan e pret;
unë në mes e gjithë rreth meje guri guri druri
e qielli i vrugët përmbi e toka e shkrehtë përfundi
e druri; drini që mbi dhé kapet për qafë të njeriut
të nxjerrë ujët nga gjaku; të ndalë djersë për flijim
prapë uji; tri të katërtat e kësaj bote veç ujë ujë
po gjithnjë ballkani gur e gur gur e gur

Nga “Balcanica”, “Rilindja”, Prishtinë, 1980

Shpërndaje

Rreth Autorit

Leave A Reply

Please type the characters of this captcha image in the input box

Bitte die Buchstaben des captcha Bildes im Eingabefeld eintippen

© 2014 faktinews.com ⎢ Powred by: newonline.ch