ROMANCAT INTIME TË SKËNDERBEUT NË LETËRSINË EUROPIANE

0

Scanderbeg, ou les  Aventures dy prince d’Albanie” është romani i parë botuar në Francë për Heroin tonë Kombëtar, që ndodhet në fondin e librave të vjetër të Bibliotekës Kombëtare. Romani përveç fakteve historike zbulon dhe intrigat e dashurise që thureshin në sarajet e Padishahut, ku i adhuruari ishte Princi Skënderbe

I gjatë, i hijshëm, me tipare të skalitura dhe një pamje madhështore…Ikona kombëtare e shqiptarëve, Skënderbeu, ka mishëruar gjithmonë imazhin e një burri të fortë nga shumë dëshmi historike ndër shekuj.

Figura e tij ka frymëzuar vepra të shumta e të larmishme të fushave e zhanreve të ndryshme. Thuhej për të se dëfrimet e “shthurura” nuk i interesonin dhe se në vend të tyre parapëlqente gjahun, kalërimin e lojërat ushtarake. Ndoshta për këtë arsye romanet e para të shkruara për Skënderbeun flasin për dobësinë e burrave: femrat.

Një zonjë franceze, Anne de La Roche Guilhem (1644-1707) botoi më 1729, në Holandë, romanin e parë (në botë) me titull ‘Le grand Scandarbeg’, Amsterdam, 1688. Këtij romani i janë referuar më vonë shumë studiues vendas dhe të huaj, ndoshta dhe për kujtimet herë-herë “e paturpshme” të Zonjës Villedieu (personazh) mbi jetën në Sarajet e Sulltanit.

Ndërsa krejt i panjohur mbetet një tjetër roman që u botua pak vite më pas në Paris: “Me urdhër të Imzotit Ministrit të Vulës, e lexova librin Skënderbeu ose Aventurat e Princit të Shqipërisë Histori Turke dhe jam i mendimit se mund të lejohej botimi i këtij libri 15 janar 1732. Jean de Crebillon”. Ky shënim fakton dhe datën e saktë të daljes së romanit ‘Scanderbeg, ou les  Aventures dy prince d’Albanie’që botohej me Privilegj të Mbretit të Francës. Ky është dhe romani i parë që botohej në Francë për heroin Skënderbe.

Për autorin e këtij romani, i pari i botuar në Francë, dihet fare pak.
Në bibliografinë “Vepra të autorëve dhe studiuesve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Shek. XVI-XX), përgatitur nga Etleva Domi dhe Afërdita Sharxhi, ai njihet me emrin Chevilly. Kur më vonë i janë referuar këtij romani, Chevilly-s i janë referuar herë si autorja franceze e herë si autor.

“Nuk e di se ç’ka shkruar për këtë çështje Zonja Villedieu në kujtimet e veta mbi jetën e Sarajit, (‘Le grand Scandarbeg’) ku ajo na tregon dashuritë e Skënderbeut dhe të Servilisë (shën red. në romanin e Chevilly Servili quhet Melisa).

Lajmet sekrete të një çështjeje të tillë janë të vështira që të mësohen me siguri dhe është dashur të vihej në lëvizje tërë zgjuarsia e një Zonje të tillë që kishte patur sukses në realizimin e këtij zbulimi. Për këtë arsye unë do vazhdoj t’i flas lexuesit vetëm për dashuritë dhe aventurat e Skënderbeut, të cilat Zonja e nderuar e mësipërme nuk i ka trajtuar fare… Po ka mundësi që ajo të mos ketë patur kurrfarë njoftimi mbi këto”,- shkruan Chevilly në një pasazh të librit, duke lëne të kuptohet se romani i koleges është tërësisht pjellë e fantazisë, ndërsa romani i saj ka për bazë njoftime të qënësishme.

Libri është i ndarë në dy vëllime, dhe siç paralajmëron autori, nuk flet veçse për aventurat dhe dashuritë e Skënderbeut me Sulltanen Alzelide.

“Libri i Chevilly-së i lejon lexuesit një iluzion të dyshimtë; me një ton të gjallë, me një lloj atmosfere si për të të thënë që mos e merrni seriozisht. Megjithatë, ky roman ka disa risi.

Asnjëherë Skënderbeu në tregimet e mëparshme, qofshin këto përralla, romane apo histori, nuk na shfaqet si një personazh indiferent për të kaluarën e tij. Ai gjithmonë na është shfaqur si një njeri kryelartë që menjëherë e identifikoi sulltanin si armikun e tij dhe priste çastin e përshtatshëm për të realizuar atë që fshihte qysh prej fëmijërisë në ndërgjegjen e vet. Sigurisht që autorja Chevilly nuk e shpreh drejtpërdrejt në romanin e saj se ai e ka harruar besimin e krishterë në të cilin u lind; por shfaq një mjegullnajë dyshimi për këtë, kur e bukura Alzelide i nxjerr si pengesë për martesën e tyre përkatësinë fetare. Shpërthimi i heroit vjen relativisht vonë. Rikthimi në Shqipëri, sipas Chevilly-së, nuk vjen si i dëshiruar për shkaqe patriotike apo fetare, ai vjen nga shkaqe krejt të tjera.” – shkruan studiuesi Alexandre Zotos në librin “De Scanderbeg à Ismaïl Kadaré: propos d’histoire et de littérature albanaises” kur i referohet këtij romani.

Romani, intriga dashurie në sarajet e Padishahut

“Nuk mund të rri pa ju lajmëruar, o trimi Skënderbej, që të ruheni nga joshjet e Sulltanes Alzelide. Nuk ka në saraj asgjë që të mund të krahasohet me atë për sa i përket bukurisë, ndonëse Sulltani nuk ka dhënë akoma asnjë shenjë që të ndjejë dashuri ndaj saj. Shikimet e saj, ngulur mbi ju, ngjatë ndeshjes, ndrojtjen që ajo shfaqte gjatë çdo rreziku që ju kërcënonte, më kanë bindur krejtësisht që ajo ju dashuron. Po kjo ndrojtje po më detyron gjithashtu të zbuloj para jush një dashuri të cilën ajo nuk do të guxonte kurrsesi t’jua shfaqte vetë. Prandaj shikoje nesër në ballkon, nëse jua lejon shëndeti. Ajo do të gjendet në ballkon po në këtë orë bashkë me mua. Ju lutem që të më njoftoni përmjet të njëjtit eunuk, vullnetin tuaj.” – i shkruan Skënderbeut në letrën e saj Melisa, e preferuara e Sulltanit.

Këtu zë e merr udhë dashuria mes Alzelides dhe Skënderbeut. Në përshkrimin e autores franceze, Skënderbeu na shfaqet si një mashkull i fortë, i hijshëm dhe që adhurohej dhe dashurohej nga gratë më të bukura të Sarajit të Sulltanit.

Sulltanë Alzelide ishte vetëm njëra prej tyre. Ajo ishte Princesha e Bullgarisë, por që në sarajet e Sulltanit fshihej pas emrit që i kishin dhënë, Sulltane Alzelide. Këtë sekret ajo ia rrëfen vetëm Princit Skënderbe. Dashuria e tyre lind dhe rritet nga një histori në tjetrën.

“Nuk ka më kohë, Imzot, – i tha ajo, – për t’jua mbajtur sekret ndjenjat e mia ndaj jush. Virtytet e juaja e justifikojnë mjaft mirë dashurinë time. Princ, ju dashuroj. Dëgjojeni pra nga goja ime këtë pohim shumë të sinqertë. Po ama, mos ma refuzoni sekretin që zemra ime nuk ka mundur t’jua mbajë sekret më gjatë, nëse është e vërtetë që dhe ju keni për mua të njëjtat ndjenja të ëmbla. Mos më tregoni kurrë veçse anën e juaj si një princ i Shqipërisë; sepse unë vetëm këtë anë dashuroj. Unë vetëm atë dashuroj, zemra ime do që të bëheni zot i saj.
Skënderbeu skllav nuk mund të ketë të njëjtat ndjenja që kam unë për të, në qoftë se virtyti i tij nuk arrin ta mposhtë kundërshtarin e tij. Bëhuni pra ai që duhet të jeni për të merituar besën time, sepse unë nuk angazhohem me ju veçse me këtë çmim. Vetëm një Zot absolut mund të ushtrojë pushtet në zemrën time…Ju Princ jeni një i tillë dhe unë nga ana ime ju deklaroj se kryelartësia ime më ndalon që të duroj një skllavëri të dyfishtë. Ngulni pra këmbë që t’i përkisni vetëm vetes suaj. Po jua përsëris dhe një herë. Guxoni pra që të ndërmerrni punë të mëdha, sepse një ambicie e drejtë duhet t’ua largojë frikën cilatdo qofshin rreziqet sepse, mos harroni se lavdia që të çon në vdekje e shpërndan tmerrin ndaj saj. Veproni gjithmonë me ndjenja kaq të denja për një shpirt të madh. Dhe, në qoftë se fati nuk u përgjigjet qëllimeve tuaja, mos dysho për asnjë çast se unë jam gati të vdes bashkë me ju… Dhe së fundi, në qoftë se ju e dashuroni nderimin, nëse dashuria ime ju prek, mos më paraqisni justifikime të kota e boshe. Premtomëni se do ta braktisni Sulltan Muratin, m’u  betoni për këtë, Princ, dhe në një rast të tillë edhe unë ju jap një besë të pathyeshme kurrë.”- shkruan më e bukura e oborrit të Sulltanit, princesha Alzelide.

Të njëjtë ndjenjë dashurie kish ushqyer dikur dhe e preferuara e Sulltanit, e bukura dhe e mençura Melisa. Të rritur të dy në saraje në moshën 16-vjeçare, ata ishin rrëmbyer nga pasioni i dashurisë. Për një kohë Skënderbeu dhe e pat dashuruar, por shumë shpejt e pa veten jo të tërhequr më nga nuri i bukurisë së saj. Kjo sulltane e re dhe e bukur, që më vonë do të bëhej e preferuara e Sulltan Muratit, i qe përgjigjur dashurisë së Princit dhe i kishte mësuar atij “sekretin” sesi të futej fshehurazi në sarajin e grave e ku të dy lëshoheshin në teprimet e pasionit të tyre. “Kjo dashuri nuk kishte pas mundur të mbijetonte pa shqetësime të tmerrshme, si dhe pa rreziqe të shumta. Kështu që çastet e kësaj intrige dashurie, duke mos mundur të jetonin për shumë kohë, qenë vënë në përfitim të dy dashnorëve tanë, dhe kënaqësia që ndjente Melisa për këtë gjë s’bënin tjetër veçse ta zbukuronin për ditë e më shumë. Bukurisë së përkryer të saj, Melisa dinte t’i shtonte dhe nur të madh, zgjuarsi dhe gëzueshmëri natyrale, cilësi këto që përlindën dashurinë ndaj saj në zemrën e Sulltan Muratit. Duhet thënë nga ana tjetër se kjo nuk kishte ndodhur pa shkaktuar njëfarë xhelozie nga ana e Sulltanit…”.
Melisa ishte ambicioze, ndaj kjo e shtynte të preferonte dashurinë e Sulltanit mbi gjithë të tjerat, pavarësisht se ajo gjithmonë ndjente dhimbje për humbjen e princit Skënderbe, të cilin e kish dashuruar marrëzisht.

Përveç kësaj romance, përshkruar me ndenja dhe stil nga autorja, ky libër është cilësuar dhe si një roman historik sepse jo rrallëherë Chevilly është bazuar në fakte historike kur i referohet vendeve apo ngjarjeve historike që trajton.

Koha e romanit është kufizuar në jetën e Skënderbeut në oborrin e Sulltan Muratit.

Libri “Scanderbeg, ou les  Aventures dy prince d’Albanie” është pjesë e koleksionit antikuar të Heroit në Bibliotekën Kombëtare që përmban rreth 50 eksponente të shek. XV-XVII, që dedikohen Skënderbeut.


“Autorë francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët”

Bibliografia “Autorë francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Shek. XVI-XX” përmban rreth 806 tituj. Me këtë botim vazhdon seria e botimeve “Autorë të huaj për Shqipërinë dhe shqiptarët” e Bibliotekës Kombëtare. Kjo bibliografi përmban vepra të botuara në shek. XVI e deri në ditët e sotme. Sipas autoreve, Etleva Domi dhe Afërdita Sharxhi, “hartimi i kësaj bibliografie ishte i nevojshëm për të vënë në dukje në mënyrë të plotë të gjitha veprat e autorëve dhe studiuesve francezë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilat ndodhen në fondin e Bibliotekës Kombëtare”.

Pjesë e këtij fondi është dhe libri “Scanderbeg ou Aventures du Pricne d’Albanie”, që i prezantohet sot lexuesit.

 

Shpërndaje

Rreth Autorit

Leave A Reply

Please type the characters of this captcha image in the input box

Bitte die Buchstaben des captcha Bildes im Eingabefeld eintippen

© 2014 faktinews.com ⎢ Powred by: newonline.ch