KOSOVA SHKON NË ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME PAS RRËZIMIT TË QEVERISË

0

Sot në seancën e Kuvendit të Kosovës u rrëzua qeveria Mustafa me 73 vota pro, 34 kundër dhe tre abstenime.

Tashmë është bërë edhe shpërbërja e Kuvendit ndërsa Presidenti Thaçi ka ftuar partitë për të diskutuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Për këtë kanë reaguar shumë struktura politike, si dhe ambasadat e shteteve evropiane në Kosovë.
Poashtu ka reaguar edhe Natalja Apostlova, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë. e cila ndër të tjera për RTV21, ka folur edhe rreth shpërbërjes së Kuvendit duke theksuar faktin se me këtë edhe shtyhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Mllefi i LDK-së

“Kjo qeveri ia vuri laurën krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Kam qenë i vetëdijshëm se PDK dhe klientela e korruptuar nuk e përballon këtë.
Kemi penguar degradimin e shtetit dhe do ta çlirojmë nga kthetrat e krimit!”,– ishte ky komenti i kryeministrit Kosovar në detyrë në rrjetet sociale menjëherë sapo Kuvendi votoi pro shkarkimit të qeverisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një komunikate, ka theksuar se veprimi i sotëm edhe një herë e la pa asnjë maskë Kadri

 

 

Veselin dhe bashkëpunëtorët e tij në PDK, të inkriminuar dhe me probleme të thella me ligjin dhe të cilët sot u bashkuan për t’i dhënë fund Qeverisë që e çliroi shtetin nga kapja e gjithanshme, që i këputi fijet e krimit dhe të korrupsionit.

Ambasada amerikane vazhdon ta mbështesë Kosovën

Pas rrëzimit të Qeverisë së Kosovës ka reaguar Ambasada Amerikane në Kosovë. Kjo e fundit ka thënë se sot të zgjedhurit e popullit e dhanë fjalën e tyre.

“Kuvendi e tha fjalën e vet. Përderisa vazhdon procesi i tranzicionit dhe vendi lëviz në drejtim të zgjedhjeve të parakohshme, ftojmë të gjithë zyrtarët e mbetur në Qeveri që të zotohen përsëri në shërbim të punëdhënësve të tyre, gjegjësisht të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane.

Ndërkohë që kjo Ambasadë ka shprehur mbështetjen e saj për Kosovë.

“Ne vazhdojmë të jemi të palëkundur në mbështetjen tonë për Kosovën, qytetarët e saj dhe rrugëtimit të saj drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik”, përfundon reagimi.

Brukseli ua përkujton detyrat e shtëpisë politikanëve të Kosovës

Bashkimi Evropian u bëri thirrje liderëve politikë dhe institucioneve të Kosovës që të mos harrojnë sfidat e mëdha me të cilat përballet vend i tyre.
“Jemi në dijeni për votën e mosbesimit të Kuvendit të Kosovës dhe shkarkimin e qeverisë. Kjo votë u zhvillua në një kohë kritike për Kosovën dhe reformat që lidhen me BE-në”, tha përmes një deklarate me shkrim Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
“Është e rëndësishme që puna, e cila, mes tjerash, lidhet me promovimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik, dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe liberalizimin e vizave, të vazhdojë për të mirën e popullit të Kosovës”, tha Kocijançiç.

Johannes Hahn i dëshpëruar

Komisoneri Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerim, Johannes Hahn ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë, duke u deklaruar lidhur me votimin për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës në Parlament, sot gjatë ditës.

“Më vjen keq për votën e mosbesimit të sotëm në Parlamentin e Kosovës. Liderët e politikës dhe institucionet nuk duhet të harrojnë sfidat e mëdha që Kosova do të përballet”, ka shkruar Hahn në Twitter.

Regret today’s no-confidence vote of the Assembly. Pol leaders, institutions mustn’t lose sight of great challenges Kosovo faces 1/2

Ai më pas ka treguar se cilat janë këto sfida të mëdha.

“Sundimi i ligjit, ekonomia, dialogu dhe liberalizimi i vizave duhet të vazhdojë për të mirën e qytetarëve”, ka shkruar ai.

 

Isa Mustafa fillon të humbë mbështetjen në LDK

Dega e LDK-së në Rashincë të komunës së Shtimes përmes një kumtese ka njoftuar se nuk e njeh më Isa Mustafën kryetar të kësaj partie.

Në këtë kumtesë është kërkuar urgjentisht përjashtimi i Isa Mustafës nga subjekti të cilin e udhëheq.

“Pas analizimit të gjendjes se krijuar me prishjen e koalicionit dhe rënien e qeverise Mustafa, Nëndega e LDK-Rashincë Shtime del me këtë njoftim. Nga sot nuk e njohim Isa Mustafën për kryetar të LDK dhe kërkojmë që urgjentisht të perjashtohet nga subjekti jonë politik. Për fajet dhe demët e shkaktuara popullit të Kosovës kërkojmë nga Prokuroria të fillojë hetimet ndaj tij. Me respekt Kryetari i Nëndegës Gazmend Haxhiu”, thuhet në njoftim.

 

Çka shkruajnë mediat serbe?

Deputetët e Partisë Demokratike, parti kjo dikur e Hashim Thaçit kanë votuar pro mocionit për rrëzimin e qeverisë e iniciuar nga Nisma për Kosovë, shkruajnë mediat serbe.

Sipas tyre, motivi kryesor për këtë lloj të shpërndarjes së parlamentit dhe shkuarjes në zgjedhje pretendohet të jetë dëshira që përmes pjesëmarrjes në qeveri të sigurohet imuniteti politik për ata që mund ta gjejnë veten në listën e akuzuar të Gjykatës Speciale.

Të mirat dhe të këqijat e koalicionit PDK-LDK

Qëkur PDK e LDK lidhën marrëveshje për bashkëqeverisje, në dhjetor 2014, vendi ka shënuar suksese por edhe ngecje.

Aso kohe, PDK-ja kishte dalë subjekti politik i parë nga zgjedhjet parlamentare por si e tillë e kishte problem të krijonte Qeverinë.

Ndërsa, LDK, VV, AAK dhe NISMA kishin krijuar një koalicion paszgjedhor (VLAN), dhe synonin të merrnin pushtetin.

Por, pas gjashtë muajsh të bllokadës politike në Kosovë, LDK-ja e kryesuar nga Isa Mustafa u tërhoq nga VLAN-i për t’iu bashkuar PDK-së me të cilën do ta formojnë Qeverinë.

LDK dhe PDK nënshkruan një marrëveshje marrëveshjeje koalicioni, sipas të cilës kryeministër i Kosovës do të ishte Isa Mustafa, kryetar Kuvendi, Kadri Veseli, ndërsa në vitin 2016 Hashim Thaçi do të votohej për President të Kosovës.

Mustafa është zgjedhur kryeministër i Kosovës me 9 dhjetor të vitit 2014 me 73 vota pro, 38 kundër dhe 2 abstenime.

Por, ky koalicion qeveritar nuk ofroi siguroi për stabilitet ekonomik për qytetarët.

Pak ditë më vonë, nisi një ikje masive e qytetarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian, duke përdorur si transit territorin e Serbisë dhe Hungarisë.

Gjatë këtij eksodi, gjatë të cilit ikën rreth 100,000 qytetarë, ndonjë qytetar vdiq rrugës për në vendet që i konsideronin si shpëtim.

Po ashtu, fillimi i qeverisjes u karakterizua edhe me protesta masive që nisën më 25 janar 2015, kundër ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq, i cili kishte ofenduar nënat gjakovare duke i quajtur “egërsira”.

Jabllanoviq ishte shkarkuar nga kryeministri Isa Mustafa pas protestave të dhunshme, gjatë të cilave pati arrestime e përdorim të gazit lotsjellës. Një muaj më vonë, kryeministri Isa Mustafa e kishte shkarkuar ministrin Jabllanoviq.

Protestat kishin vazhduar edhe në muajin prill. Kësaj radhe u bënë bashkë i madh e i vogël të tri partive opozitare VV, AAK dhe NISMA me motën “çkapja e shtetit”.

Protesta filloi për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike, vazhdoi me kundërshtimin e privatizimit të “Trepçës”, kërkesën për shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, kundër punësimeve politike në RTK dhe kundër Asociacionit.

Po ashtu pati grevë nga punonjësit e “Trepçës” dhe nga Sindikata e Arsimit.

Derisa protestat po vazhdonin, marrëveshjet mes Kosovës e Serbisë po nënshkruheshin.

Kuvendi kishte shkuar në pushim veror pasi kishte miratuar Gjykatën Speciale dhe ishte rikthyer pasi që pala kosovare dhe ajo serbe kishin nënshkruar Marrëveshje për formimin e bashkësisë së komunave serbe dhe kur Kosova e Mali i Zi kishin nënshkruar Marrëveshje për demarkacionin.

Më tej protestat u përqendruar kundër Marrëveshjes për Asociacion dhe dhe asaj për Demarkacionin me Malin e Zi.

Deputetët opozitarë filluan me bllokimin e seancave parlamentare.

U përdorën filikaqa duke krijuar zhurmë, e më vonë përfundoi me hedhjen e gazit lotsjellës në seanca të rregullta të Kuvendit të Kosovës, skena të cilat u kthyen në gati normale.

Pas këtyre ngjarjeve filluan arrestimet e deputetëve dhe protestuesve opozitarë.

Kosova gjatë vitit 2015 ishte temë edhe në mediat ndërkombëtare për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Gjatë kësaj kohe të qeverisjes PDK-LDK ndodhi edhe konfrontimi i armatosur në Kumanovë, ku u vranë e arrestuan qytetarë të Kosovës.

Gjatë qeverisjes PDK-LDK, pikërisht më 9.11.2015, ndodhi edhe dështimi i pranimit të Kosovës në UNESCO. Nga 142 anëtarët prezentë, për pranimin e Kosovës votuan 92 anëtarë, 50 ishin kundër ndërsa 29 shtete abstenuan. Për t’u pranuar Kosovës i janë dashur 95 vota.

Me marrëveshjen e koalicionit ishte paraparë edhe votimi në Parlament i Hashim Thaçit për president gjë që edhe ndodhi në vitin 2016.

Më 26 shkurt 2016, Thaçi u zgjodh president nën protesta, gjuajte me gaz lotsjellës. Seanca gjatë të cilës ai u zgjodh zgjati më shumë se 10 orë. Thaçi u zgjodh vetëm pasi nga Parlamenti u përjashtuan opozitarët.

Ish-kryetari i PDK-së ishte zgjedhur President i Kosovës pas tri rundeve të votimit në Kuvend dhe përleshjeve të vazhdueshme ndërmjet protestuesve opozitarë dhe policisë jashtë ndërtesës së Kuvendit.

Gjatë qeverisjes PDK-LDK ka ndodhur edhe afera më e madhe mjekësore, ajo e stentave, e cila është hulumtuar nga KALLXO.com dhe emisioni “Jeta në Kosovë”.

Ky rast ka përfshirë në aktakuzë 100 mjekë, përfshirë këtu edhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani, i cili për shkak të aktakuzës i ishte kërkuar dorëheqja ose shkarkimi nga kryeministri Mustafa derisa ishte ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Kjo, pasi Mustafa ishte marrë vesh të lidhte koalicion qeverisës me PDK-në me kusht që asnjë ministër në kabinet të tij të mos ketë aktakuzë.

Gjatë kësaj qeverisjeje, pikërisht në dhjetor 2016 ka ndodhur edhe vendimi i Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, i cili obligon Telekomin e Kosovës- Vala, që të paguajë rreth 30 milionë euro kompanisë “Devolli Group” apo kompanisë “Z- Mobile” t’i japë 100 mijë numra shtesë dhe t’i ofrojë shërbime 3G dhe 4G për të gjithë numrat. Ky vendim mund ta falimentojë kompaninë publike Telekomin e Kosovës.

E shteti i Kosovës, mund të ketë humbje të buxhetit edhe në rastin gjyqësor me kompaninë “ACP Axos Capital Gmbh”.

Kjo kompani ishte shpallur fituese në tenderin e vitit 2013 për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të kompanisë së telefonisë mobile “Vala” për të cilën kishte ofruar 277 milionë euro, por pas disa shtyrjeve Qeveria nuk nënshkroi kontratën me këtë kompani.

Nga padia e “Axos”-it nëse e humb rastin Kosova rrezikon të humbasë 180 deri në 500 milionë euro.

Ndërsa, në nëntor 2016 ka ndodhur edhe vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Dehari ishte arrestuar së bashku me pesë aktivistë të tjerë të LVV-së, Atdhe Arifi, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi nën dyshimin se kishin planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me datën 4 gusht 2016.

Por, 900 ditëshi i Qeverisë PDK-LDK ka pasur vendime në ekonomi, sport, politika sociale, dhe marrëveshje ndërkombëtare.

Në shtator të vitit 2015 ka hyrë në fuqi Pakoja Fiskale me tri ligjet substanciale të saj, Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave (TAK), Ligji për të Ardhurat Personale (TAP) dhe Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSh). Me këtë pako të re fiskale, për herë të parë në Kosovë përdoren dy nivele të TVSh-së, normën standarde 18 për qind dhe normën e reduktuar prej 8 për qind.

Pakoja Fiskale rezultoi me ulje të kostos për bizneset por jo edhe për çmimet fundore për konsumator si njëra prej qëllimeve kryesore të saj.

Ministria e Financave gjithashtu planifikon që deri në shtator të këtij viti të hyjë në fuqi edhe Pakoja e re fiskale 2.0 me masa të tjera lehtësuese.

Qeveri e kryesuar nga PDK- LDK po ashtu kishte marrë vendim për faljen e borxheve qytetarëve të vendit. Kjo u bë me Ligjin për faljen e Borxheve i cili hyri në fuqi në shtator të viti 2015 në kohën kur hyri në fuqi edhe Pakoja fiskale e parë.

Qeveria PDK-LDK kishte falur 400 milionë euro borxhe të vjetra për qytetarët dhe bizneset.

Në kuadër të ekonomisë, në qeverisjen PDK-LDK është hartuar edhe Udhëzimi Administrativ përmes të cilit janë stimuluar qytetarët për grumbullimin e kuponëve fiskalë duke u rimbursuar më pas.

Qeveria e Kosovës po ashtu kishte marrë vendim që të reduktojë shpenzimet për mallra dhe shërbime në 15 për qind.

Gjatë mandatit të Qeverisë Mustafa është nënshkruar edhe Marrëveshja për Stabilizim Asociim (MSA) mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropianë. Në këtë marrëveshje Kosova paraqitet me fusnotë me ç ‘rast në bazë të së cilës paraqitet qëndrimi neutral për statusin politik të Kosovës.

Nënshkrimi i MSA-së është vlerësuar si arritje historike e Kosovës dhe rrugë e duhur drejt Integrimit të vendit në Bashkimin Europianë pasi që shumë vende që nënshkruan MSA sot janë anëtarë me të drejta të plota të BE-së. Njëkohësisht duke u vlerësuar edhe sfiduese për vendin pasi që përveç përfitimeve parasheh kushte edhe standarde të cilësisë.

Ana tjetër e medaljes së MSA-së është se Kosova po humb miliona euro nga heqja e taksave në doganë për prodhimeve me origjinë nga Bashkimi Europian. Vetëm në tre muajt e parë 2017-ës humbën 11 milionë euro. Gjithashtu në vitin e plotë të zbatimit të kësaj Marrëveshje kanë rënë eksportet e Kosovës me BE-në.

Në vazhdën e vendimeve, Qeveria e kryesuar nga Mustafa, në tetor të vitit 2016, inicioi Ligji për “Trepçën”.

Ky ligj më pas u nënshkrua nga Presidenti Thaçi pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga ankesa e deponuar e Listës Sërpska për këtë ligj.

Gjatë mandatit të Qeverisë Mustafa është miratuar edhe Ligji për Investime Strategjike. Më qëllim të rritje së investimeve të huaja.

Në anën tjetër dështoi privatizimi i Brezovicës, i cili dështim e konfirmoi edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Gjithashtu u miratua edhe Ligji për Garanci Kreditore.

Qeveria në janar të vitit 2016 vendosi të rritë pensionet për kontributdhënësit deri në 158 euro.

Po ashtu, në këtë qeverisje u miratua edhe Ligji për Veteranët dhe Invalidët e Luftës. Për shpenzimet që parasheh ky Ligj kishte shprehur shqetësime edhe Fondi Monetarë Ndërkombëtarë (FMN). Së fundmi FMN ka kërkuar që deri në fund të muajit maj të bëhet ri klasifikimi i veteranëve.

Vitin e kaluar të qeverisjes së PDK-LDK është bërë edhe plotësim ndryshimi i Ligjit për Prokurim Publik, përmes së cilit rregullohet zgjedhja e bordit të “gjykatës së tenderëve – OShP-së”.

Gjatë këtij mandati të Qeverisë Kosova bëhet me platformë elektronike të prokurimit.

Ndërsa sa i përket rritjes ekonomike në Kosovë, gjatë kësaj qeverisjeje kishte arritur në 3.4 për qind në vitin e kaluar.

Investimet e huaja në Kosovë shënuan rënie në vitin 2016 në krahasim me vitin 2015.

Finalizimi i marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” është njëra ndër projektet që Qeveria tashmë e rrëzuar e ka cilësuar si një ndër projektet më të rëndësishme gjatë vitit 2015.

Përveç vendimeve në ekonomi, Kosova ishte anëtarësuar edhe në FIFA dhe UEFA, sukses ky u cili jep qasje sportistëve nga Kosova.

Gjatë kësaj qeverisjeje Kosova është njohur nga shtetet Ishujt Salamon, Antigua dhe Barbuda, Surinam, Singapori dhe së fundi nga Bangladeshi./GAZETA FAKTI

 

 

Shpërndaje

Rreth Autorit

Leave A Reply

Please type the characters of this captcha image in the input box

Bitte die Buchstaben des captcha Bildes im Eingabefeld eintippen

© 2014 faktinews.com ⎢ Powred by: newonline.ch