Rekordmeni nga Tetova, punon 44 vite në Zvicër pa asnjë orë mungesë

0

Mustafa Osmani me prejardhje nga Veshalla e Malësisë së Tetovës ka lënë gjurmë të një punëtori të zellshëm e të pashembullt në historinë e një kompanie të madhe prodhuese. Jeta e Mustafës në Zvicër ka nisur në fillim të viteve të 70-ta bashkë me gruan e re Hirijete që e kishte marrë menjëherë pas martese me vete në Zvicër.

Historia 44 vjeçare e punëtorit me prejardhje nga Tetova mund të shkruhet me dy fjalë: Jetoi për të punuar! Këto dy veti e karakterizojnë itinerarin e Mustafa Osmanit që sapo është pensionuar: nuk ka munguar kurrë në punë, madje as edhe një minutë nuk i ka ndodhur të vonohet dhe, nuk ka qenë kurrë te mjeku! Bile një të tillë as që e ka! Po të kishin të gjithë qytetarët zviceranë jetë të shëndetshme e pa aksidente sikur të Mustafës, mjekët zviceranë do të falimentonin! Përderisa AHV/IV  (IV-sigurimi invalidor pensional) do të shembej nga milionat e grumbulluar. „Vetëm kur kam marrë pushim, kam munguar. Ndryshe, kurrë, asnjëherë, përplot 44 vite punë i kam pa munguar“, kujton ai të kaluarën e tij dhe vazhdon: „nuk jam ankuar asnjëherë. Nuk di çfarë është të kesh dhembje as sot që jam në pension“, rrëfen 65 vjeçari me banim në qytetin e Wilit, shkruan Albinfo.ch.

Mustafa ka punuar si kryepunëtor i një sektori prodhues deri në fund të muajit janar të këtij viti. Ka bërë plot 36 vite punë në të njëjtën kompani të njohur prodhuese të zinxhirëve të motorëve për prerjen e drurit, të markës „Stihl“. Por, para kësaj ai kishte punuar për 8 vite, mes vitit 1972 deri më 1980 në një tjetër ndërmarrje. Pak ditë para pensionimit zyrtar, kompania prodhuese, Stihl, i kishte lëshuar Mustafës çertifikatën e punës me vlerësimet më pozitive të mundshme për një punëtor. Ata kanë vlerësuar lartë përgjegjësinë Mustafës që ka treguar ndaj vendit të punës dhe fleksibilitetin e gatishmërinë për të punuar me orare të ndryshme sa herë që është paraqitur nevoja. „Veçanërisht duhet përmendur që z. Osmani përgjatë tërë stazhit të punës nuk ka pasur asnjë mungesa në punë. Ne e njohëm atë si njeri i gatshëm për të ndihmuar, i sinqertë e plotësisht i besueshëm e i hapur për bashkëpunim“, ka vlerësuar në superlativ punëdhënësi punëtorin që i kishte shërbyer mbi tri dekada.

Me 7 mijë franga në muaj, Mustafa fitonte më shumë se shefi, përgjegjës për 1500 punëtorë

„Në vitin 1980 kam filluar të punoj në fabrikën e prodhimit të zinxhirëve „Stihl“ për pagën mujore prej 2800 frangash. Ndërsa pas 20 viteve punë, rroga ime kishte mbërritur në 7 mijë franga në muaj“ zbulon pensionisti pagën që kishte marrë për punën e bërë. Kjo pagë kaq e lartë nuk i kishte pëlqyer shefit  të ri të firmës. „Më ftoi në zyrë dhe më tha: “ti merr shumë rrogë. Këtë pagë nuk e kam as unë që jam përgjegjës i 1500 punëtorëve” dhe shtoi se duhet të ma ulte pagën për 1000 franga“. Kjo nuk e kishte brengosur shumë Mustafën. „Po mirë, i thashë. Ule, s’kam çfarë të bëj, edhe me 6 mijë do të jetoj mirë“. Kjo ka ndodhur në vitin 2000-01, shpjegon Mustafa. Ai i ishte kthyer i qetë prapë në vendin e punës ku kishte vazhduar të punojë deri në pensionim si kryepunëtor i grupit prej 17 deri në 22 punëtorëve që kishte në repartin e tij. Mirëpo jo gjithmonë kishte fituar shumë. Mustafa kujton kohën kur kishte punuar për vetëm 3.90 franga për një orë pune.

Koha kur në Zvicër punohej për 3 – 4 franga në orë

Jeta në vitet  e 70-ta në Zvicër ishte e lirë dhe e lehtë për të huajt, kujton Mustafa. „Unë merrja 3.90 franga në orë dhe me 10 orë punë në ditë arrija një pagë mujore jo më shumë se 1700 franga“. Mirëpo për qiranë e banesës dydhomëshe, në vitin 1973, nuk paguaja më shumë 94 franga. 14 deri në 16 franga e paguaja për sigurimin shëndetësor dhe përafërsisht me 500 franga kemi jetuar atëherë si sot me 5 mijë, tregon Mustafa ndërsa përzien çajin, merr frymë thellë dhe vazhdon: „atëherë na respektonin shumë si të huaj dhe nuk bënin fare dallim. S’kanë pyetur kurrë kush je nga vjen. Sot është ndryshe sepse vetë ne të huajt e kemi humbur respektin“ pohon ai me lëvizje koke duke pritur konfirmimin nga të pranishmit në dhomë.

Zviceranët ishin mikpritës të mëdhenj

Zviceranët nuk ishin kështu asokohe, ndërhyn gruaja e Mustafës, Hirijetja. „Kur më lindi fëmija i parë, Idrizi, na kanë sjellë mbi 30 familje dhurata e urime, dhe që të gjithë ishin zviceranë. Zviceranët ishin atëherë shumë mikpritës, na nderonin shumë. Tani kanë ndryshuar“, ul ajo zërin duke rrudhur krahët e me shikim nga Mustafa, sikur të dojë të marrë konfirmimin e tij për atë që sapo tha. Por nuk kanë ndryshuar vetëm zviceranët, kemi ndryshuar edhe ne, jemi bërë më shumë, më të dukshëm e nuk e kemi ndërmend të kthehemi. Ne nuk jemi më në gurbet, ngre zërin Mustafa. „Me kaq shumë vite këtu, ky nuk është më gurbet. Ne jemi të shpërngulur“ thotë ai duke parë nga gruaja Hirijeta, e cila tashmë ishte përlotur nga biseda që i kujtonte kohën kur ajo ishte martuar me Mustafën dhe ishte shpërngulur në Zvicër. „Kur u martuam, në janar të viti 1973, unë isha shumë e re, vetëm 18 vjeçe, dhe Mustafa me tha se do të vish më mua në Zvicër“. Rrugën do ta bëjmë me tren, i kishte thënë ai të shoqes që nuk kishte idenë se ku do vendosej e sa larg ishte Zvicra, shkruan Albinfo.ch.

Djali i parë u lind në vitin 1975, në Wil

Nuk dija që po shkonim aq larg dhe kur pashë që bëmë gati dy ditë, zura të mërzitem. „Zura të qaj e të thirrja oj nënë ku kam humbur kështu“. Kur hyra për herë të parë në banesë, pashë që s’ka stufë (shporet), zura të frikësohem se do të mërdhijmë nga të ftohtit. “Si do ngrohemi, e pyeta burrin“ kujton me lot në sy sot Hirijetja fillimin e vështirë në Zvicër në vitet e 70-ta. „Mërzitesha shumë për familjen time“, tregon Hirijeta që është rreth 60 vjeçe. „Unë nuk punoja dhe rrija në shtëpi gjatë tërë ditës duke pritur Mustafën që të kthehej nga puna“. Lidhja e telefonit nuk merrej dot, ndodhte që të provonim telefonin deri në 3 orë e s’e kapshim dot lidhjen me të afërmit në Tetovë”, flet edhe sot me mall e lot në sy nëna që fëmijën e parë, Idrizin, e kishte sjellë në këtë botë më 1975 në qytetin Wil.

Mustafa dhe Hirijeta kanë katër fëmijë, dy djem e dy vajza që të gjithë të lindur në Wil. Ata sot janë gjyshër krenarë me 8 mbesa e 6 nipër që i takojnë gjeneratës së tretë të shqiptarëve të vendosur në Zvicër.

“Ky nuk është më gurbet por shpërngulje”

“Nuk kanë ndryshuar vetëm zviceranët, kemi ndryshuar edhe ne, jemi bërë më shumë, më të dukshëm e nuk e kemi ndërmend të kthehemi. Ne nuk jemi më në gurbet, ngre zërin Mustafa. „Me kaq shumë vite këtu, ky nuk është më gurbet. Ne jemi të shpërngulur“ thotë ai./GAZETA FAKTI

Shpërndaje

Rreth Autorit

Leave A Reply

Please type the characters of this captcha image in the input box

Bitte die Buchstaben des captcha Bildes im Eingabefeld eintippen

© 2014 faktinews.com ⎢ Powred by: newonline.ch